Drejtor i përgjithshëm i Zgjerimit në Komisionin Evropian, Christian Danielsson thotë se çelja e negociatave midis Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian varet nga vendimi i vendeve anëtare të Unionit, duke kujtuar se procesi i Vettingut është pika kryesore.
Deklaratat e tij u bënë gjatë një konference shtypi me ministren e Integrimit, Klajda Gjosha.
“Ky është rekomandimi i Komisionit. Dhe tani do të diskutohet nga shtetet anëtare të Bashkimit Evropian, të cilët do të arrijnë gjykimin e tyre në muajin dhjetor të këtij viti. Siç është gjithnjë rasti me procesin e zgjerimit, do të jenë përpjekjet e Shqipërisë, meritat, që do të përcaktojnë se cilat do të jenë hapat e mëtejshëm që lidhen me Shqipërinë. Besoj që e mbani mend që rekomandimi pozitivi i Komisionit Evropian e ka bërë në mënyrë të qartë se kjo do të jetë në varësi të zbatimit të besueshëm të reformës në drejtësi dhe në veçanti të zbatimit të Vettingut”, theksoi Danielsson.
Ndërsa ministrja e Integrimit, Klajda Gjosha theksoi se duhet të nisë sa më parë procesi i Vettingut të gjyqtarëve dhe prokurorëve.
“Ne duhet të presim vendet anëtare për vendimin e dhjetorit. Data në vetvete nuk është shumë e rëndësishme. Ajo që është e rëndësishme është presioni që të gjithë ne duhet të bëjmë për të nisur sa më parë procesin e Vettingut, procesin e rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Duhet të jetë presioni më i madh që duhet të vijë jo vetëm nga politika, nga qytetarët shqiptarë, nga media sepse ky është edhe kyçi i reformës në drejtësi dhe i hapjes së një kapitulli të ri për çeljen e negociatave”, tha Gjosha. /Ora News/Telegrafi/