Ministri i Jashtëm Nikola Dimitrov realizoi takim me Christian Danielsson, Drejtor i drejtorisë për zgjerim në Komisionin Evropian. Takimi u përqendrua në perspektivat evropiane të Republikës së Maqedonisë dhe pritjet për përparim në periudhën e ardhshme, njofton Telegrafi Maqedoni.
Danielsson përgëzoi hapat në lidhje me hyrjen në fuqi të marrëveshjes së Prespës dhe tregoi rëndësinë e saj për rajonin dhe më gjerë si një shembull i diplomacisë së mirë dhe tejkalimit të çështjeve shumë të ndjeshme. Danielsson përshëndeti përparimin e arritur deri më tani në agjendën e reformës së brendshme, me një shpresë për punë të mëtejshme dhe rezultate në fusha kyçe në periudhën deri në Këshillin Evropian në qershor.
Ministri Dimitrov e falënderoi Danielssonin dhe Komisionin Evropian për përpjekjet e tyre dhe mbështetjen e vazhdueshme për procesin e eurointegrimeve të Republikës së Maqedonisë. Ai e informoi për aktivitetet në vazhdim lidhur me hyrjen në fuqi të marrëveshjes së Prespës dhe përpjekjet për të bërë përparim të mëtejshëm në procesin e reformave.
Dimitrov gjithashtu iu referua rezultateve të arritura deri tani në procesin e reformave, duke theksuar se vullneti i fortë politik mbetet një pjesë thelbësore e procesit./Telegrafi/