Prej mbretërve të muzikës shqiptare i cilësuar si nga pubilku ashtu edhe nga kolegët, Ramadan Krasniqi – Dani sot ka lënë prapa gjashtë dekada të jetës së tij. Bilibli i këngës sot ka mbushur 60 vjet.
Vital, shumë elegant e vullnet, i gatshëm për të vazhduar , me bagazh prej më se 42 albumesh muzikore, me dhjetëra hite të pavdekshme, edhe ditëlindja e 60-të Danin e gjen në punë. Sonte i bie që atë ta festoi i angazhuar në dasmën e radhës, në Hotelin prestigjioz ‘Dukagjini’, për çka është prenotuar kohë më parë.
Kush nuk e njeh më Ramadan Krasniqin-Danin, i lindur në Pejë, më 5 gusht të vitit 1958, i cili këndon me aq afsh e dashuri, duke u bërë i dashur dhe i adhuruar për pleq e të rinj dhe për çdo gjini.
Më 47 vjet punë, Dani që moti nuk është vetëm i Pejës dhe i Dukagjinit, por i mbarë njerëzimit, sepse zëri i tij arrin të depërtoj tek çdo njeri që ka pak shije dhe kritere për muzikë.
Me kontributin e tij në vazhdimësi, Dani edhe sot e tutje vazhdon karrierën, i orientuar në këtë sezon vere në dasma, ahengje e gëzime familjare.
Me krejt bagazhin e tij ndër dekada, Dani vazhdon të mbetet personalitet që shënon fuqishëm kohën e vet.
Në përvjetorin e ditëlindjes së 60-të, sot Dani ka marrë qindra mesazhe urimi, nga njerëz të thjeshtë, artist, miq, adhurues e ku nuk kanë munguar as urimet nga politikan të vendit.
Edhe Telegrafi i bashkohet urimit më të mirë për Danin
“Jetofshë me shëndet edhe shumë e shumë vite. Të na dhurosh këngë siç di ti”. /Telegrafi/