Dani Alves i ka shkruar një letër gruas së tij, Joana Sanz nga burgu ku ai mbetet në paraburgim me akuzën e një përdhunimi të dyshuar.
Ish- lojtari i Barcelonës dhe Sevillas u arrestua më 20 janar i akuzuar për një sulm të dyshuar seksual të kryer në klubin e natës Sutton në Barcelonë më 30 dhjetor.
Pasi Sanz përfundimisht vendosi të ndahej me të dhe të kërkonte një divorc, emisioni televiziv spanjoll ‘Y Ahora Sonsoles’ ka fituar akses ekskluziv në letrën e shkruar me dorë të Alves për të, shkruan Mirror.
Në letër, Alves ka thënë se e kupton vendimin e gruas së tij modele për të marrë kohë për lidhjen e tyre tetëvjeçare
“Tani, në këto momente të vështira, më vjen keq për vendimin tuaj dhe dëshiroj që jeta të na japë një tjetër shans”, ka shkruar Alves.
Reprezentuesi brazilian, i cili është mbajtur në paraburgim që nga arrestimi i tij dy muaj më parë për akuzat për sulm seksual, gjithashtu premtoi të “luftojë deri në fund” për të provuar pafajësinë e tij.
“Do të vazhdoj të luftoj siç kam bërë gjithmonë me mbështetjen e atyre që janë pranë meje për të treguar pafajësinë time para gjithë botës”, shton ai në letër.
Joana, 29 vjeç, hodhi poshtë disa nga pretendimet e bëra në media, por qëndroi e heshtur për çështjen e divorcit. Ajo bëri që ndjekësit e saj në rrjetet sociale të kuptonin se po planifikonte të merrte kohë për marrëdhënien e saj me Alves me letrën e saj dy faqe.
Joana foli gati një muaj pasi Alves humbi luftën për lirimin me kusht për sulmin seksual të dyshuar në klubin e natës në Barcelonë në fund të dhjetorit të kaluar.
Kujtojmë që përveç dy periudhave te Barcelona, Alves ka luajtur për Seviljen, Juventusin, Paris Saint-Germain dhe Sao Paulo. Ai konsiderohet gjerësisht si një nga mbrojtësit më të mëdhenj të të gjitha kohërave. /Telegrafi/