Sulltan Sulejmani II, të cilin po orvaten në mënyrë trashamane t’ua paraqesin shqiptarëve si “rindërtues” monumentesh kulture – në kuptimin e rivënies në vend të gurëve në një kështjellë fort më të moçme të rrënuar prej tij ose prej paraardhësve të tij në fushatat për të shtypur e nënshtruar arbërit dhe Arbërinë – ky sulltan pra ka lënë në histori dëshmi të atyre që në gjuhën e sotme do të quheshin “krime kundër njerëzimit”.
Në gjuhën e dikurshme quheshin më thjesht: rrënime, plaçkitje, masakra etj. Sulltanë të tillë rezultuan të gatshëm ta shndërronin Arbërinë në një grumbull gërmadhash të zhytura në gjak për t’u shpallur mandej “rindërtues” të po atyre gërmadhave.
Për sa i ndodhi kalasë së Lezhës, për shembull, kanë treguar vetë kronikanë dhe historianë osmanë të fushatës së Mehmetit II në Arbëri më 1478. Tursun-beu: “ata [turqit] fortifikuan kështjellën e Zhabjakut e të Drishtit, ndërsa fortesës së Leshit i vunë zjarrin dhe e rrënuan”.
Bitlisiu: “Mbasi kaluan në dorën e shërbëtorëve të sulltanit të tria fortesat, e Leshit, e Zhabjakut dhe e Drishtit, fortesa e Leshit, meqë kështu e donte puna, u rrënua…”.
Ibn Kemal-pashazade: “Kryengritësit që gjendeshin brenda kështjellës së Leshit dhe kufomat [e të vrarëve] u dogjën krejtësisht; tymi i tyre pushtoi horizontin dhe ngjeu kupën e qiellit. Ajo u shndërrua në pirgje dheu”.
Pllaka lavdëruese e Sulejmanit mund edhe ta ketë vendin atje, në kalanë e rindërtuar. Por, atëherë do të duhet të hapen librat e të lexohet diçka për bëmat e këtij sulltani – për shembull se çfarë e ka lidhur atë me historinë e Arbërisë – sidomos për ata zotërinj lexues që nuk njohin as burimet osmane dhe as ato perëndimore, në pjesë të mëdha të botuara edhe në shqipe.
Po kështu do të duheshin lexuar edhe bë- mat e sulltan Bajazitit II gjatë fushatës së tij ndëshkimore të 1492-shit në Arbëri nëse nesër-pasnesër ndonjë kryeministri mund t’ia ketë ënda ta qesë nga Muzeu i Arkeologjisë ku ruhet pallën e sulltan Bajazitit II dhe ta varë në mysafirhane, në mos po ta ngjeshë në brez me dëshirën e mirë për të “magjepsur” me të partnerët evropianë.
Në historitë e ndryshme të Perandorisë osmane Sulejmani II ka zënë vendin e “Ligjvënësit”, duke iu përshkruar dhe analizuar ky atribut si merita më e madhe e tij, krahas të tjerash merita më të vogla “perandorake”. Ndërkaq, ai nuk nderohet dhe as përkujtohet në vendet ku derdhi gjak popujsh dhe u regjistrua në kujtesën historike të atyre popujve për rrënime, plaçkitje, masakra etj.
Nuk kam informacion në nderohet a përkujtohet ai në Turqinë e sotme, ndonëse nuk përjashtohet gjasa që elemente të traditës tiranike sulltanore të funksionojnë ende si joshje për regjime jodemokratike. Fjala vjen: aftësia e veçantë e Sulejmanit II për të zbuluar dhe ndëshkuar “armiq të brendshëm”. Të quajturat procese gjyqësore të tyre – ia numërojnë ndër meritat modernizuese këtij sulltani “Ligjvënës” – afërmendsh që kryheshin pa praninë e të pandehurve dhe pa kurrfarë mbrojtjeje.
Si prova të kryerjes së detyrës të ndëshkimit të “armiqve të brendshëm” në oborrin e Sulejmanit II dorëzoheshin mesatarisht 40-50 koka të prera në një ditë të vetme: lexohet ky numër, për shembull, në Historinë (1560) e frëngut Guillaume Postel, i cili mbahet për një nga mendjet më të hapura të shek. XV në marrëdhënie me turqit, njohës i mirë i legjislacioneve e i gjuhëve orientale etj. Diplomati Postel pati më se një herë të hyra e të dala në oborrin e Sulejmanit II duke u bërë kështu një dëshmitar sypamës. Në krye të një ekspedite ndëshkimore kundër arbërve, në vitin e Hegjires 943 (1537 me kalendarin tonë) Sulejmani II erdhi vetë në Arbëri.
Ka historianë perëndimorë që për objektiv parësor të ekspeditës së atij viti dinë thjesht “pushtimin e Italisë”, pra njëfarë përsëritjeje të ekspeditës së vitit 1480-1481 që nuk e pati çuar dot deri në fund i gjyshi, Bajaziti II i pallës së Muzeut tonë. Kronikat anonime osmane e dëftojnë ndryshe objektivin e kësaj ekspedite: “Sulltan Sulejmani doli nga Stambolli në ditën e shtatë të muajit Zilhixhe të vitit të sipërpërmendur [943] dhe, me qëllim që të kryente një fushatë kundër vendit të arbërve [“Arnavud-ili”], mbërriti në Vlorë. Këtu mbërritën me anijet Hajredin pasha dhe Lutfi pasha dhe aty ata u takuan”.
Ky Hajredin është i famshmi Barbarossa, i emëruar nga Sulejmani II “kapudan i detrave”. Me gjasë qe arbër – “de Natione Albanese” e ka saktësuar Benedetto Ramberti në Libri Tre delle Cose de’ Turchi (bot. 1543) – por i bërë “osman”. Një arbër i bërë “osman” ishte edhe veziri Lutfi pasha, i emëruar për atë ekspeditë si komandant i flotës. Bënte pjesë në strategjinë luftarake të sulltanëve që në ekspeditat ndëshkimore kundër arbërve të përdornin kardashllarët e tyre ish-arbër.
“Kardashllarë” bën nga turqishtja shumësi i fjalës “kardash”: vëlla, e cila në shqipen e hershme nuk ka hyrë me kuptimin konkret, por “si ledhatim” për shokun, mikun, dashamirin, siç e ka saktësuar Dizdari te Fjalor i orientalizmave në gjuhën shqipe.) Këta ish-arbër përdoreshin rëndom në ushtritë e sulltanëve si fanatikë të egër kundër ish-vëllezërve të tyre, madje edhe kundër ish-prindërve të mbetur “kaurë”. Ish-arbër i bërë “osman” ishte edhe veziri i madh Ajaz pasha, i cili gjithashtu e shoqëronte Sulejmanin II në Arbëri gjatë asaj ekspedite ndëshkimore, siç e ka përshkruar historiani osman i gjysmës së parë të shek. XVII Sollakzade: “Në fund të muajit Muharrem të vitit 944 [9 korrik 1537] Sulltani mbërriti në Elbasan. Mbas kësaj zbriti në fushën e Vlorës, vilajeti i së cilës u pushtua krejtësisht dhe iu shtua vendeve të Perandorisë islame falë përpjekjeve, këmbënguljes dhe vullnetit të vezirit të madh Ajaz pasha, i cili ishte një arbër i rritur në tokën e Vlorës”.
Po ajo Kronikë tregon edhe sesi flota osmane plaçkiti, dogji dhe rrënoi edhe Korfuzin dhe “disa ishuj të tjerë” përkundrejt bregut arbër, sado që banorë të të dyja brigjeve, korfjotë dhe himarjotë, qëndruan dhe luftuan. Dhe, nuk mund të ishte ndryshe. Në ikje osmanët i mbushën anijet e veta me robër, të cilët i çuan në Stamboll, ku lëshuan thirrjen për shitjen e tyre “për tre florinj, për dy dhe për një”, siç i ka saktësuar deri edhe çmimet Kronika. “Do të të vras, por për të mirën tënde”, i thoshte Don Karlosit xhelati i tragjedisë së Schiller-it. Nuk dihet nëse, në atë rast, turqit e Sulejmanit II u kanë thënë viktimave në fjalë: “Po ju shesim si skllevër, por për të mirën tuaj”.
Te kronikani Ramazan-zade Mehmet Çelebi, i njohur si Nishanxhi, lexohet edhe “ndëshkimi” i arbërve të “vilajetit të Vlorës”: “Meqenëse malet e Vlorës ishin gjithmonë kurthe dhe vende strehimi të kryengritësve dhe meqenëse këta arbër kokëfortë bënin zullume […] u dërgua kundër tyre ushtria, e cila i ndëshkoi ata”.
Dëftime për plaçkitjet, rrënimet, masakrat etj. të ekspeditës ndëshkimore të Sulejmanit II në Arbëri gjenden të regjistruara sidomos në një varg historianësh perëndimorë edhe të kohës, edhe të shek. XVII. Historiografi i Francës Gilbert Saulnier du Verdier, për shembull, e ka dhënë sak në Shkurtoren e historisë së tij objektivin e parë të ekspeditës ndëshkimore të vitit 1537: “Ai [Sulejmani II] nxori 200.000 luftëtarë në fushatë dhe sulmoi kryesisht të gjitha ato vende që ende zotëronte në Arbëri”.
Edhe në Shtojcën nga Thomas Artus Sieur D’Embry për Historinë e turqve të Halkokondilit (1612) është pohuar objektivi i ekspeditës ndëshkimore të 1537-s pothuajse si te Kronikat anonime osmane: “Ai [Sulejmani II] erdhi në krahinën e himarjotëve ose arbërve, të cilëve donte t’u bënte luftë dhe të pushtonte atë pjesë që mbetej nga ajo krahinë”. Në Memoriet historike të kalorësit Giovanni Sagredo (1672) gjendet përshkrimi se si, gjatë ekspeditës ndëshkimore të Sulejmanit II, turqit e plaçkitën territorin dhe e dogjën duke e bërë hi: “depredarono et incenerirono il territorio…”.
Edhe Paolo Giovio e ka regjistruar ekspeditën ndëshkimore të Sulejmanit II në Arbëri në Historinë e tij (1555), ku ka shënuar edhe se si, mbas rrënimit dhe masakrës së Korfuzit, turqit e Sulejmanit II iu kthyen Butrintit. Aty, si bënë robër të gjithë banorët, e plaçkitën qytetin dhe e rrënuan në mënyrë mizore: “la terra fu crudelmente saccheggiata e disfatta…”. Njoftime më të hollësishme për ekspeditën e Sulejmanit II në Arbëri ka dhënë Andrea Marmora, kronikan dhe historian korfjot, në Historinë e tij të vitit 1672.
Korfjoti jo vetëm i ka njohur mirë vendet e ngjarjeve, por duket të ketë pasur për duarsh edhe burime më të bollshme lidhur me to. Andrea Marmora: “Sulejmani qëndroi në krahinën e himarjotëve disa ditë, me dëshirë që t’i shkatërronte ata popuj, të cilët u sillnin dëme të vazhdueshme vasalëve të tij aty përreth […]. Sulejmani dha urdhër që Ajaz pasha me komandantin e jeniçerëve të venin për t’i nxjerrë nga foletë e shpellave të tyre ato bisha, siç i quante ai, dhe të bënin mbi ta një të tillë kërdi aq sa të mos mbetej tjetër nga ajo farë njerëzish veç kujtimit që qenë shkatërruar”.
Te këta autorë përshkruhet dhe një situatë që kronikanët ose historianët osmanë në shërbim të sulltanëve – ata e kishin për detyrë të ngrinin në qiell çdo “padishah” të radhës – e kanë mbuluar me heshtje. Është fjala për qëndresën dhe luftën e himarjotëve dhe arbërve në përgjithësi, atyre që Sulejmani i Pllakës i quante “bisha”, për t’u bërë ballë ushtrive turke në atë ekspeditë. Sagredo ka treguar se si himarjotë dhe korfjotë qëndruan dhe luftuan duke bërë kërdi të madhe mbi armiqtë: “con non piccola strage degl’ inimici”.
Cesare Campana në Shkurtoren historike të tij (1597) ka shënuar në mënyrë edhe më sintetike që Sulejmani II në Arbëri pësoi shumë dëme prej himarjotëve: “…in Albania, dove da Cimeriotti ricevè molti danni”. Deri edhe një funksionar të rëndësishëm të kampit të Sulltanit, një terxhuman ose përkthyes zyrtar të tij të quajtur Jonuz bej, himarjotët e zunë rob, kurse turqit e shpurës së tij “i shkuan në teh të shpatës”.
Pa dyshim që Andrea Marmora është historiani i cili, në mënyrë të veçantë, e ka përshkruar qëndresën dhe luftën e arbërve të Himarës gjatë ekspeditës ndëshkimore të Sulejmanit II: “Por ndodhi e kundërta e asaj që ai [Sulejmani II] ëndërronte, sepse ata njerëz fort të shkathët, duke i sulmuar armiqtë herë brinjazi, herë përballë, herë në bisht, herë duke u tërhequr, herë duke u rënë ndesh skuadrave të mëdha të kalorësisë [turke], pa pësuar shumë humbje në radhët e veta, vranë në mënyrë të mjerueshme më shumë se 8.000 syresh dhe i detyruan të tjerët të tërhiqeshin me të katra, të tmerruar për fatin e zi të shokëve të tyre”.
Ndërkaq te ky historian gjenden edhe njoftimet për një akt që fshik kufijtë e heroizmit të himarjotëve dhe që ishte plani për ta goditur ushtrinë turke në zemrën e saj: “të vrisnin vetë Sulejmanin brenda shatorres dhe në mesin e rojave të veta”. Detyrën e mori përsipër Damjani, “një nga kapedanët e zotërimit himarjot”, me sa kuptohet një nga ata trima sykokërr tipikë të atyre anëve. Natën e Shën Jakut, që i bie më 25 korrik 1537, himarjotët e vunë planin në veprim. Por, me gjithë organizimin “jashtëzakonisht të mençur” të planit, kapedan Damjani i afruar fushimit të Sulltanit ngjalli dyshime tek Ajaz pasha. Ish-arbëri i bërë “osman” e ndaloi dhe ia doli të zbulonte planin e himarjotëve.
Kapedan Damjani u dënua “me një vdekje shumë mizore”, ka shënuar Marmora. Ngjarja e kapedan Damjanit është treguar, në variante me hollësi të ndryshme, edhe nga autorë të tjerë, si i përmenduri Thomas Artus në Shtojcën për Historinë e Halkokondilit (1612). Simbas letrave të një Ogier Ghiselin de Busbecq, ambasador i perandorit Karl V në oborrin e Sulejmanit mes viteve 1555-1562, kapedan Damjani u pat shtënë në dhé për së gjalli. Përfundimin e vet për këtë ngjarje pak të njohur në historinë e Arbërisë historiani korfjot e ka përmbledhur si vijon: “Kështu u shua ajo jetë që meritonte një përjetësi dhe, në një çast të vetëm, u shkatërrua ai mekanizëm që do të mund ta bënte të pavdekshëm emrin e himarjotëve në shekujt e ardhshëm”.
Themeluesi në historiografinë shqiptare i diplomatikës – disiplinës së studimit të dokumentit – Injac Zamputi, që u përkujdes të përmblidhte e të botonte burimet edhe për këto ngjarje, nuk ka qenë pajtuar me përfundimin e historianit korfjot. Përfundimi i Andrea Marmora-s afërmendsh që mban vulën e kohës, të shekullit XVII, duke e lidhur suksesin e luftës kundër pushtimit turk me vrasjen e një sulltani, vinte re Zamputi në një shënim të vetin, për të përfunduar: “Historia i bëri të pavdekshëm himarjotët dhe emrin e tyre edhe pse nuk qe vrarë me këtë rast sulltani”.
Ndodhitë me himarjotë e me heronj si Damjani mundet të zënë fort pak vend në historinë e Perandorisë osmane. Mundet edhe të mos zënë fare vend. Por, ne të sotmit nuk mund të shtiremi si marsianë, kinse nuk jemi qenie politike, por thjesht ashikë antikuariati. Në ballafaqime të këtilla nuk ka se si të mos lexohet edhe një tjetër anë e faqeve të historisë: ajo që ka të bëjë me qëndrimin e sotëm ndaj dukurisë sa historike aq edhe politike të ndeshjes së njeriut të lirë me tiraninë. Termi i moçëm tirani u rishfaq gjatë Rilindjes evropiane posaçërisht nëpër relacionet e ambasadorëve venedikas në oborrin e sulltanëve në orvatje e sipër për të përshkruar “regjimin sulltanor”.
I pari regjistrim i termit haset në relacionin e ambasadorit Bernardo Navagero të vitit 1553, pra në vitet kur sundonte pikërisht Sulejmani II. Navagero dhe mbas tij të tjerë diplomatë synonin ta përkufizonin pushtetin njëpersonal, të konceptuar prej tyre si “fodullëk madhështor i të Parit”. Vinin nga një Republikë aristokratike dhe, për këndin e tyre të vështrimit, në vendet e pushtuara nga sulltanët qe çrrënjosur aristokracia tradicionale, ndërsa ngrihej artificialisht në vend të saj fundërria e shoqërisë duke e reduktuar dalëngadalë vetë shoqërinë në një nivel të përgjithshëm robërie. “Republikë skllevërish”, e përcaktonte më 1585 ambasadori Morosini duke mos gjetur term me të përshtatshëm.
Funksionarët, të lartë a të ulët, ngriheshin në detyra prej vetë të Parit dhe, edhe kur mund të mbërrinin majën e veziratit, mund të rrëzoheshin poshtë përdhunshëm po prej vetë të Parit. “Gjendja e tyre e mirëfilltë është tirania, dhuna edhe uzurpimi”, e përshkruante situatën e regjimit sulltanor ambasadori Lorenzo Bernardo më 1592, në kuptimin e një pushteti të marrë vetëm falë forcës dhe të mbajtur po vetëm falë forcës. Arbitrariteti në vjeljen e taksave dhe vënia e gjobave pa logjikë e pa arsye e bënte diplomatin Donà ta cilësonte regjimin sulltanor si “guvernë e mosarsyeshme”: “irragionevole governo”. Në një regjim të tillë të gjithë, përfshi edhe familjen e të Parit, jetonin si në një “mbretëri të frikës”, ngase sulltani ishte zot sa i pasurive të tyre, aq edhe i jetëve të tyre.
Janë të shumtë shembujt nga sundimi i Sulejmanit II që përmenden në relacionet e diplomatëve venedikas. Falë historisë së tij ata kanë analizuar deri edhe ushtrimin e tiranisë, për hir të pushtetit, brenda familjes. Njëri nga bijtë e Sulejmanit II, Mustafa, si pati mundur persët, kthente fitimtar në kryeqytet ku përshëndetej nga ushtria me brohoritje të jashtëzakonshme. “Të jashtëzakonshme”, sepse Sulejmani II gjykoi se me të tilla brohoritje nuk qe përshëndetur as ai vetë. Duke mos e duruar këtë lavdi të të birit, dha urdhrin që princi të mbytej, kurse kufoma e tij të ekspozohej para asaj ushtrie që sapo e kishte brohoritur.
Ndërkohë kasneci thërriste: “Nuk duhet të ketë veçse një Zot në qiell dhe një sulltan në tokë, Sulejmani!” Dy ditë më vonë Sulejmani II helmonte edhe të birin tjetër. Përse? Sepse e kishte parë të lotonte për vdekjen e të vëllait. Të tretin, që ua mbathi këmbëve dhe u strehua te persët, ia doli ta fuste në dorë dhe atij ia hoqi kokën. Kurseu vetëm Selimin, ngaqë përndryshe nuk do të kishte se kujt t’ia linte trashëgim pushtetin. Po këta diplomatët venedikas a mos qenë burra më të mirë, do të pyesë ndonjë lexues nga ata që mendojnë se natën të gjithë maçokët janë të murrmë. Republika e Venedikut mund të ishte shtet “kapitalist”, në kuptimin e sotëm të termit, por nuk ishte fuqi “imperialiste”, për ata që ia dinë kuptimin konceptit imperium.
Dhe sidomos nuk ishte një tirani. Kreu i saj jo vetëm që zgjidhej nëpërmjet procedurash tejmase të koklavitura, por kishte imunitet po aq sa qytetarët e të tjerë të Republikës. Dogjën Marin Faliero, të dyshuar për tradhti të interesave të Republikës, Këshilli i të Dhjetëve e mori përnjëherësh në hetim, e gjykoi dhe e dënoi me vdekje. Ekzekutimi i tij në shkallët e Pallatit Dukal, në praninë e qytetarëve të mbledhur në sheshin e Shën Markut, shijohet sot në një tablo madhështore të Delacroix-së (1827). Dhe, sado që dogja plak iu dhëmbys zotit Lord Byron në tragjedi ose zotit Donizzetti në opera, te salla e portreteve të dogjëve në Pallatin Dukal ai edhe sot ekspozohet siç e i ka takuar nga historia: aty ku vjen radha kronologjike e portretit të tij është varur një pece e zezë me mbishkrimin “Këtu dukej të ishte vendi i Marin Falieros kokëprerë për krimin e tradhtisë”.
Të lexosh këto dhe plot tjera – nga njëra anë për himarjotët luftëtarë me kapedan Damjanin e tyre që ende s’ka vdekur i tëri, nga një anë tjetër për Sulejmanin e Pllakës me kardashllarët e tij – nuk ka se si të mos pranosh që leximi i historisë është i mrekullueshëm jo ngaqë të bën të paanshëm. Përkundrazi. As ngaqë të bën indiferent ndaj personazheve të saj të ndryshëm. Përkundrazi. Leximi i historisë të bën që disa personazhe t’i dashurosh, ndërsa disa të tjerë t’i neveritësh. /Panorama/