Dukagjini ka marrë fitoren e tretë radhazi në kampionat, pasi ka mposhtur Trepçën ’89 me rezultat minimal 1-0.
Golin e vetëm në këtë takim për vendasit e shënoi Iljasa Zulfiu kur kishin kaluar një orë lojë.
Trajneri i Dukagjinit, Armend Dallku ka mbetur shumë i kënaqur me fitoren, përkundër se skuadra e tij nuk krijoi shumë raste.
“Jam shumë i kënaqur me fitoren. Një rast një gol është statistikë e mirë. Ndoshta kjo është edhe meritë e kundërshtarit që na kishte bllokuar pikat tona më të forta”.
“Edhe fusha nuk lejoi shumë, pasi nuk ishte në gjendjen më të mirë. Lojtarët kërkuan golin dhe ia arritën, pastaj ne u fokusuam më pas për ta ruajtur golin e shënuar”, ka thënë Dallku.
Me këtë fitore Dukagjini ngritët në pozitën e pestë në tabelë me 21 pikë, derisa 89-shi mbetet në vendin e nëntë me 18 sosh.
Ndeshjen e ardhshme Dukagjini luan në udhëtim te Ferizaj, derisa Trepça ’89 para adhuruesve të vet luan përballë Prishtinës. /Telegrafi/