Site icon Telegrafi

Dallku zotohet se Prishtina do ta kryejë punën në ndeshjen e kthimit ndaj Drenicës

Përkundër fitores bindëse kundër Drenicës në ndeshjen e parë gjysmëfinale të Digitalb Kupës së Kosovës në futboll, trajnerit të Prishtinës, Armend Dallku, nuk i ka pëlqyer se si rrodhën minutat e fundit të takimit.

Me dy gola të Ahmed Januzit në pjesën e parë dhe një gol të Meriton Korenicës në të dytën, bardhekaltrit morën fitore të rëndësishme në stadiumin “Fadil Vokrri”.

Megjithatë, kur po zhvilloheshin minutat e fundit të takimit dhe vendasit ishin në epërsi prej dy golash, u akordua penallti për Drenicën, duke rrezikuar ngushtimin e rezultatit në 2-1. Mirëpo, Hasan Hyseni dështoi nga pika e bardhë dhe pastaj Korenica e vulosi fitoren me golin e tretë.

Ka qenë kjo pjesë që ka nxitur pakënaqësi te Dallku, i cili duke folur për SuperSport ka theksuar se në vend që epërsia të ishte shumë më e lartë, ekipi i tij rrezikonte ngushtimin e rezultatit.

Lexo po ashtu Triumf bindës i Prishtinës ndaj Drenicës në ndeshjen e parë gjysmëfinale

Sido që të jetë, ai është shprehur i kënaqur me fitoren dhe lojtarët e tij duke theksuar se nuk do të qëndrojnë komodë në sfidën e kthimit, porse do të angazhohen për ta siguruar finalen.

Stadiumi “Bajram Aliu” në Skënderaj do të jetë arena e ndeshjes kthyese gjysmëfinale të të Digitalb Kupës së Kosovës në futboll që është caktuar të zhvillohet më 17 qershor. /Telegrafi/

Exit mobile version