Atmosfera në pragndeshjen derbi me Feronikelin është optimale
Prishtinë, 22 shtator 2016 – Prishtina ka vazhduar punën normalisht nga e hëna e këtej, pasi që dy ditën e fundjavës, pas ndeshjes së të premtes me Gjilanin, ishin pushim. Tre ditët e para është punuar dy herë në ditë nën udhëheqjen e shefit të ri të shtabit teknik, drejtorit sportiv, Lutz Lindemann dhe ndihmës së tre trajnerëve ndihmës, Mentor Miftari, Rabit Ahmetaj dhe trajnerit të portierëve, Ahmes Beselica.
Ndërsa, sot është punuar vetëm në një seancë stërvitore nga ora 15.00. Po ashtu, edhe nesër mbahet stërvitja e fundit e lehtë para ndeshjes të së shtunës në Drenas.
Kurse, para deklaratave për ndeshjen derbi me Feronikelin, në një far mënyre ka reaguar edhe kapiteni i skuadrës, Armend Dallku, deklaratën e të cilit e sjellim në tërësi.
“Normalisht, në çdo klub të botës ndodhin ndryshime. Por, ato ndryshime ndodhin ndërmjet kryesisë dhe trajnerit. Ndërsa, ne i dëshirojmë shumë sukses trajnerit Munishi, me të cilin kemi punuar bashkë dhe kemi pasur harmoni të mirë. Mirëpo, janë kryesia dhe jo lojtarët që marrin vendime për këto punë. Kurse, ne lojtarët, pa marrë parasysh se kush është trajner, na mbetët të japim maksimumin dhe për treguar se jemi të aftë për fanellën e Prishtinës”.
“Në momentin që kam kuptuar për ndryshimin, si kapiten, kam mbledh lojtarët, iu kam folur dhe kam kërkuar që mos të kemi asnjë minutë shpërqendrimi, sepse ky është vendim i kryesisë dhe normal ata i marrin vendimet. Ndërsa kam dëgjuar e po folët se sukseset kanë qenë vetëm të trajnerit duke iu adresuar vetëm trajnerit këto suksese. Por, këto nuk janë vetëm suksese të trajnerit. Janë suksese të ekipit. Sukseset janë të lojtarëve. Sukseset janë të kryetarit. Sukseset janë të drejtorit sportiv, por sukseset më të mëdha janë të futbollistëve”.
“E fundit, sukseset janë të Prishtinës dhe nuk janë individuale. Sukseset janë kolektive, sepse futbolli është lojë kolektive dhe nuk mund t’i adresohen ekskluzivisht vetëm një personi”, ka thënë mbrojtësi dhe kapiteni i skuadrës, Armend Dallku, i cili nga shumica e njohësve të futbollit cilësohet si futbollisti me paraqitjet më brilante në këto pesë javët e para.