Prishtina ka arritur të shënoi fitore të rëndësishme ndaj Ferizaj me rezultat 3-2.
Ndeshjen e zhbllokoi Ahmet Jonuzi përmes penalltisë. Edhe golin e dytë e shënoi Jonuzi. Kurse golin e tretë për kryeqytetasit e realizoi sulmuesi afrikan, Otto John.
Ndërsa golat për Ferizajn i shënuan Albin Krasniqi dhe Taulant Dajaku.
Por, trajneri i kryeqytetasve, Armend Dallku, ka folur pas ndeshjes duke i kritikuar futbollistët e tij për pësimin e dy golave.
“Pësimi i dy golave është i pafalshëm, sepse të pësosh në atë mënyrë dy gola nga një ekip që është thuajse për të rënë nga kategoria është shumë e pafalshme. Kështu që ne do të punojmë që mos të përsëritet këto gabime”, tha Dallku për SSK.
Gjithashtu kryetrajneri i Prishtinës ka folur edhe për pjesën e parë në këtë ndeshje që ishte e varfër për nga rastet.
“Një pjesë e parë e varfër për nga rastet, shënuam një gol dhe krijuam pak. Mendoi që ndikoi koha, ishte kohë me shi dhe ftohtë pasi që u mësuam disa ditë me kohë të mirë. Në asnjë mënyrë nuk duhet ta pranojmë një lojë të tillë, përfundoi Dallku.
Me këtë fitore, Prishtina tashmë gjendet në pozitën e dytë në tabelë, me pikë të njëjta si Gjilani./Gazeta Sheshi/