Prishtina është ndalur në barazim nga Llapi 1-1 në një ndeshje të zjarrtë në Podujevë.
Kryeqytetasit kaluan të parët në epërsi me Ahmed Januzin, por gjithçka u barazua pastaj nga Mentor Zhdrella në pjesën e dytë.
Me këtë barazim, Prishtina ka mbetur katër pikë mbrapa liderit aktual Dritës.
Pas ndeshjes trajneri i Prishtinës, Armend Dallku ka folur duke thënë se ky është futbolli.
“Ishte një ndeshje shumë e rëndësishme për neve, tentuam me gjitha forcat por pranuam një gol nga gjuajtja e lirë, ne i kemi ditur pikat e forta të tyre dhe jemi munduar t’i ndalim, gjithsesi ky është futbolli”, tha fillimisht Dallku për Super Sport Kosova.
“Fusha ishte një problem sot pasi nxehtësia e saj ishte e madhe, por që nuk dua të arsyetohem”, tha Dallku.
Tutje trajneri i klubit kryeqytetas ka thënë se nuk ka përfunduar asgjë dhe se skuadra e tij do të luftojë për të dyja trofetë.
“Për ne asgjë nuk ka përfunduar, ne vazhdojmë tutje pasi gjithçka është e hapur ku presim mos të ketë gabime të tilla në të ardhmen nga ana jonë”.
“Duke parë që kemi përballjet direkte, por edhe gjitha skuadrat tjera do të luajnë me Llpait, atëherë e gjitha mbetet e hapur dhe ne luftojmë për dy fronte”, përfundoi Dallku.
Prishtina me këtë barazim ka mbetur në pozitën e dytë në tabelë me 51 pikë, katër më pak se lideri Drita, ndërkohë Llapi zë vendin e gjashtë me 38 pikë të grumbulluara pas 26 ndeshjeve. /Telegrafi/