Telegrafi

Dallku: Humbje zhgënjyese në Suharekë

Dukagjini i Klinës ka pësuar humbjen e parë pas 11 ndeshjeve, ku morën tre fitore e tetë barazime.

Klinasit janë mposhtur në udhëtim te kampioni në fuqi Ballkani me rezultat 3-1, edhe pse kishin raste shumë të mira shënimi.

Trajneri i klinaesve, Armend Dallku ka thënë pas ndeshjes se është shumë zhgënjyese disfata në këtë duel duke marrë parasysh angazhimin e skuadrës së tij.

“Është zhgënjyese pasi treguam lojë të mirë dhe krijuam raste, por kështu e ka futbolli. Ne kishim mungesa të shumta në këtë ndeshje, por e rëndësishme është se ekipi e dha maksimumin dhe këto ishin mundësitë tona. Me pak fat, mund ta kishim marrë edhe një barazim”, ka thënë Dallku për “ArtMotion”.

Lexo po ashtu Ballkani vazhdon me fitore, ndërpret serinë fantastike të Dukagjinit

“Por, nga kjo humbje duhet të marrim një mësim për ndeshjet e ardhshme dhe secili lojtar të jap më të mirën nga vetja në secilën ndeshje dhe të marrë përgjegjësitë”.

“Defektet që i patëm në këtë ndeshje, besoj se do t’i përmirësojmë dhe nuk do të na përsëriten për ndeshjet tjera. Goli i treti na i humbi shpresat për barazim, pasi erdhi si rezultat i gabimit të mbrojtjes”, tha Dallku. /Telegrafi/