Telegrafi

Dallku flet pas triumfit ndaj Prishtinës: E merituam fitoren

Dukagjini ka marrë një fitore të madhe në kuadër të xhiros së 23-të në BKT Superligë.

Skuadra e drejtuar nga Armend Dallku ka mposhtur Prishtinën me rezultat 2-1, në një ndeshje që pikët ishin shumë të rëndësishme për të dyja skuadrat.

Mentor Zhdrella dhe Altin Merlaku realizuan për vendasit, derisa Mendurim Hoti ishte autori i golit të vetëm për Prishtinën.

Pas ndeshjes trajneri i Dukagjinit, Armend Dallku është shprehur shumë i lumtur me fitoren e arritur, derisa ka falënderuar tifozët për mbështetjen.

“Fillimisht dua t’i falënderoj tifozët që kanë pritur shumë gjatë për një fitore të tillë. Shpresoj të jenë pikët e kthesës për ne”, tha Dallku.

Trajneri vushtrrias i Dukagjinit tha se ndeshjet e mira nuk kanë munguar, por vetëm fati dhe pikët po.

“Ndeshjet e mira nuk na kanë munguar edhe kur nuk kemi marrë pikë. I përgëzoj lojtarët për angazhimin sepse dhanë gjithçka për të fituar”.

“Golin e pranuam aksidentalisht, por lojtarët i uroj për fitoren. Me Prishtinën jemi në tabelë aty-aty, nuk janë larg nesh. Emri i Prishtinës është i madh, pavarësisht situatës se ku gjendet. Nuk do t’ia dëshiroja këtë problematikë që e ka”, u shpreh Dallku.

Dukagjini tani zë vendin e tetë në tabelë me 24 pikë, vetëm dy më pak se Prishtina që ndodhet në vendin e gjashtë. /Telegrafi/