Telegrafi

Dallku flet pas humbjes nga Ballkani dhe tregon pse bëri rotacion

Dukagjini i Klinës është mposhtur 1-2 në stadiumin ’18 qershori’ nga Ballkani.

Në këtë sfidë klinasit kishin shumë mungesa, derisa trajneri Dallku kishte ruajtur futbollistët e formacionit bazë.

Trajneri vushtrrias pas ndeshjes ka thënë se ishin të detyruar të bëjnë rotacion, pasi për Dukagjinin më e rëndësishme është ndeshja e Kupës së Kosovës në mesjavë përballë Dritës.

“Nuk e nisëm mirë ndeshjen. Kemi bërë rotacion në formacion sepse kemi ndeshje shumë të rëndësishme në Kupë. Në ndeshjet e Kupës nuk ka rikuperim të pikëve”.

“Vendosëm të luajmë me këtë formacion dhe bëm edhe disa ndryshime të tjera. Goli i parë erdhi si shpërqendrim i mbrojtjes dhe mesfushës. Më pas, a ishte penallti apo jo, vendos gjyqtari”.

“Por, më pëlqeu shpirti luftarak në pjesën e dytë. Pastaj e shënuam golin, tentuam edhe ta barazojmë rezultatin por këto ishin mundësitë tona”.

“Nuk e kemi luksin t’i lodhim lojtarët apo të rrezikojmë me kartonë. Sot vendosëm ta pushojmë një pjesë të ekipit, sepse në Kupë nuk ka rikuperim pikësh”, ka thënë Dallku për “ArtMotion” pas ndeshjes. /Telegrafi/