Site icon Telegrafi

Dallavere me testet COVID-19, gjobitet laboratori me 13 mijë euro dhe pezullim të licencës

Foto: Ilustrim

Autoritetet e shteteve fqinje gjatë verës identifikuan rezultate të dyshimta të kosovarëve të cilët i kishin prezantuar në pikat kufitare.

Kjo dhe dyshime të tjera kanë bërë që Inspektorati Shëndetësorë  të kryej inspektime në laboratore biokimike dhe mikrobiologjike nëpër regjione të ndryshme të vendit.

Kësisoj inspektorët shëndetësorë gjobitën mbi 50 laboratore private të cilave më pas iu pezullua licenca për kryerjen e testimeve për COVID-19.

Megjithatë njëra nga to u gjobit më së shumti.

Laboratori ” Preventiva” nga Skenderaj u dënua me 13 mijë euro dhe pezullim të licencës për kryerjen e testeve për virus me metodën RT- PCR, transmeton Klan Kosova.

Sipas Inspektoratit  Shëndetësor, punonjësit e këtij institucioni privat penguan inspektorët për kryerjen e detyrës, madje të njëjtit kishin tentuar që t’i zhdukin edhe provat e rezultateve të dyshimta për coronavirus.

Inspektorati Shëndetësor (ISH) ka gjetur se në këtë institucion kanë munguar profesionistët adekuatë për kryerjen e këtyre testeve, dhe pacientët nuk janë evidentuar në listën përkatës, ashtu sikurse që nuk janë raportuar rezultatet tek IKSHPK.

Ndërkaq ISh ka hasur edhe fletë-analiza të gatshme me rezultat negativ pa të dhënat e paraqitura të pacientit.

Përfaqësues të këtij institucioni privat i thanë televizionit se kanë ushtruar ankesë tek shkalla e dytë sa i përket licencës, dhe nuk kanë dashur t’i komentojnë të gjeturat e inspektoratit.

Exit mobile version