Pas dyshimit se një shtetase britanike është infektuar me coronavirus, të shtunën ajo është shtrirë në Klinikën Infektive në QKUK.
Por, Lindita Berisha, drejtoreshë në Klinikën Infektive në QKUK, ka njoftuar se, pas analizave të bëra ka rezultuar se ajo nuk është e infektuar me coronavirus.
Sipas mjekëve, asaj i janë bërë analizat menjëherë, dhe rezultati ka dalë negativ.
Ndërkaq, Instituti i Shëndetit Publik i Kosovës ka siguruar materialin e nevojshëm laboratorik, me të cilin do të arrinte të diagnostikonte rastet e dyshimta me coronavirus.
Materiali, të cilin e ka tani në dispozicion Instituti, mund të diagnostikojë deri në 1000 persona, ndërsa deri në përfundim të javës sasia e materialit diagnostikues do të shtohet.
Deri me tani numri i vdekjeve nga coronavirusi në Kinë është rritur në 805, dhe numri i rasteve të konfirmuara është rritur në 34.598, sipas të dhënave zyrtare të lëshuara të shtunën.
Shumica e vdekjeve të raportuara rishtas kanë ndodhur në provincën Hubei, zemra e shpërthimit. Dy zona jashtë Hubei tani kanë më shumë se 1.000 raste secila.
Numri i rasteve të reja të konfirmuara në Kinë është stabilizuar gjatë ditëve të fundit, por zyrtarët e Organizatës Botërore të Shëndetit kanë paralajmëruar të mos i shikojnë shumë numrat, duke thënë se provinca Wuhan dhe Hubei janë ende në mes të një “shpërthimi shumë të fortë”./Telegrafi/