Qindra afganë që po tentojnë të ikin nga talebanët janë rreshtuar pas telave me gjemba në Aeroportin e Kabulit dhe nisen për fluturime shpëtimi pas skenave kaotike të djeshme, ku një person u përplas për vdekje në rrotat e një aeroplani dhe tre të tjerë ranë nga qielli.
Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, dhjetëra njerëz, disa me dokumente të imigracionit, u rreshtuan nën armët e rojeve të sigurisë afgane ndërsa helikopterët Apache zhurmonin në ajër sot në aeroport ndërsa prisnin të hipnin në fluturimet jashtë vendit, nga frika e hakmarrjes së përgjakshme nga islamistët.
Kjo vjen pas zhvillimeve të ndodhura të hënën, ndërsa mijëra njerëz të dëshpëruar nxituan në pistë dhe u kapën pas rrotave të aeroplanëve amerikanë që po largoheshin.
Dhe pamjet, të cilat u shfaqën sot, tregojnë atë që duket se janë këmbët e një njeriu që dalin nga ana e aeroplanin.
Një zyrtar amerikan më vonë konfirmoi se mbetjet njerëzore u gjetën në rrotat e uljes së një aeroplani, i cili bëri një ulje emergjente pasi shpalli një gjendje të jashtëzakonshme në ajër.
Siç raportohet më tej, përcjell Telegrafi, ka të paktën 56,000 njerëz që kanë nevojë për evakuim nga Afganistani – përfshirë rreth 22,000 që fluturojnë me viza speciale emigruese amerikane, 4,000 shtetas britanikë, 10,000 refugjatë që Gjermania ka thënë se do të pranojë dhe 20,000 të drejtuar për në Kanada.
Në realitet, ai numër ka të ngjarë të jetë shumë më i lartë pasi të merret parasysh stafi diplomatik nga dhjetëra vende që kishin marrëdhënie me qeverinë e mëparshme të Afganistanit.
Ndërkohë thuhet se të paktën 6,000 njerëz tashmë kanë arritur të largohen nga vendi me fluturime evakuimi që filluan të dielën, me një duzinë që nisen sot – shumica e tyre fluturojnë drejt vendeve fqinje të Lindjes së Mesme para se të vazhdojnë udhëtimet e tyre në perëndim.
Spanja, Franca dhe India konfirmuan se stafi i tyre diplomatik ishte evakuuar sot.
Ndërkohë mediat kanë publikuar edhe disa pamje të cilat thuhet se tregojnë armët e braktisura në Aeroportin e Kabulit, përkatësisht rafte të asaj që duken se ishin armë amerikane dhe sovjetike e hedhur së bashku me helmetat. /Telegrafi/