(E plotësuar) Zyra e Kryeministrit të Republikës së Kosovës përmes një reagimi ka thënë se lajmi për shitjen e inventarit të zyrës së kryeministrit nuk e pasqyron të vërtetën.
Sipas Zyrës së Kryeministrit, pajisjet dhe inventari që janë në shpallje publike, nuk i takojnë kabinetit të deritanishëm të ish-kryeministrit Isa Mustafa dhe nuk qëndron pohimi se do të blihen orendi të reja nga kryeministri Ramush Haradinaj.
“Zyra e Kryeministrit sqaron opinionin publik se shpallja publike për shitjen e inventarit të dalë jashtë përdorimit me numër reference SH01/2017, është proceduar ditë më parë nga ana e zyrës së prokurimit, duke respektuar çdo procedurë ligjore, dhe duke e publikuar në KRPP konform legjislacionit.
– Inventari dhe pajisjet e TI-së, janë jashtë përdorimit muaj dhe vite më parë, dhe janë të dëmtuara tërësisht.
– Inventari dhe pajisjet e TI-së, janë të dërguara në depon qendrore të Qeverisë në Graçanicë.
– Inventari dhe pajisjet e TI-së kanë vlerën në librat e zhvlerësimit të ZKM-së, të gjitha së bashku 48.30 euro”, thuhet në reagimin e Zyrës së Kryeministrit.
Gjithashtu thuhet se më qëllim që vlera e tyre të mos bjerë, apo që mos të dëmtohen akoma më shumë, menaxhmenti i ZKM-së kohë më parë ka vendosur t’i shes përmes ankandit publik me qëllim që të kemi transparencë dhe vlerë sa më të lartë të ofertave. /Telegrafi/
————————————————————————–
Dalin në shitje orenditë e zyrës së ish-kryeministrit Isa Mustafa (Dokument)
Isa Mustafa sot ia dorëzoi detyrën kryeministrit të sapoemëruar Ramush Haradinaj.
Megjithatë, me dorëzimin e postit, Mustafa duket se ka vendosur ta dorëzojë edhe inventarin e zyrës, shkruan GazetaFjala.
Këtë Zyra e kryeministrit do ta bëjë përmes ankandit publik.
Pjesë e ankandit sipas ofertës së Kryeministrisë, do të jenë të gjitha pajisjet, nga karriget, varëset e deri tek tavolina e punës, që ishin vendosur në kryeministri sipas shijes së Mustafës.
Këtë e konfirmon edhe Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik.
Ky institucion ka hapur ankandin “Inventarit zyrtar dhe pajisjeve të ndryshme të IT-së jashtë përdorimit” derisa autoritet kontraktues është Zyra e kryeministrit.
Ankandi do të vlejë deri me 15 shtator në ora 15:00.