Ballkani ka vazhduar me rezultate të mira, pasi ka triumfuar në udhëtim te Arbëria me rikthim me rezultat 2-4.
Ndeshja nisi me tempo shumë të lartë ku të dyja skuadrat krijuan disa raste të mira shënimi.
Në minutën e 18-të vendasit gjetën golin me Sunaj Hasan, por që u anulua për pozitë jashtë loje.
Mirlind Daku qëlloi shtyllën në minutën e 30-të, teksa Hasan u kundërpërgjigj pesë minuta më vonë duke shënuar gol pas një pakujdesie të mbrojtjes mysafire dhe kaloi vendasit në epërsi 1-0.
Me epërsinë minimale të vendasve përfunduan 45 minutat e para të kësaj sfide.
Pjesa e dytë nisi më mirë për mysafirët të cilët realizuan në minutën e 51-të me Mirlind Dakun për 1-1.
Vendasit e rikthyen epërsinë në minutën e 64-të, kur realizoi Almir Kryeziu për 2-1 me një goditje të fortë.
Por 18 minuta para fundit të ndeshjes, Armend Thaqi u asistua mirë nga Mevlan Zeka dhe barazoi shifrat në 2-2.
10 minuta para fundit të ndeshjes, mysafirët nga Theranda fituan penallti kur në zonë u pengua Mevlan Zeka.
I saktë nga pika e bardhë ishte Mirlind Daku që realizoi për 2-3, ku njëherit ishte goli i 12-të këtë kampionat.
Krejt në fund të ndeshjes, Ermal Krasniqi realizoi një super gol nga distanca për rezultatin përfundimtar 2-4.
Me këtë fitore, Ballkani vazhdon qëndrimin në krye të tabelës pas gjashtë ndeshjeve me 16 pikë, teksa Arbëria mbetet e treta në tabelë me tetë pikë. /Telegrafi/