Telegrafi

Daku rikthehet te golat në Slloveni, i shënon dy gjigantit Maribor

Mirlind Daku është rikthyer te golat në elitën e futbollit slloven me skuadrën e tij Mura.

Pas një krize ku kaloi shtatë ndeshje pa shënuar gol në kampionat, Daku ka shënuar dy në fitoren e madhe të Muras ndaj Mariborit.

Golin e parë sulmuesi gjilanas e realizoi në minutën e 20-të pas një asistimi nga Tripi, ku doli ballë për ballë me portierin dhe me një goditje të bukur e dërgoi topin në rrjetë për 1-0.

Mysafirët barazuan shtatë minuta më vonë, por Daku doli sërish në skenë.

25-vjeçari në minutën e 43-të shënoi një tjetër gol të bukur me kokë për t’i siguruar tre pikë të arta Muras.

Me dy golat e sotëm, Daku shkon në kuotën e 13 golave në kampionat, një më pak se Vipotnik që kryeson listën. /Telegrafi/