Sulmuesi i Ballkanit, Mirlind Daku ka qenë një nga temat më të nxehta të ditës së sotme në Kosovë.
Pas publikimit të listës së përzgjedhësit Bernard Challandes për tri ndeshjet e muajit mars, top shënuesi i Superligës nuk është ftuar nga Kosova.
Përkundër 25 golave të shënuara në Superligë, Daku është injoruar dhe nuk është ftuar.
Ka qenë veta Daku që ka folur për situatën e krijuar, duke thënë se ende nuk ka ftesë.
“Jo deri më tani nuk kam marrë asnjë ftesë. Po pres, nëse më ftojnë sigurisht që jam i gatshëm të jap maksimumin për Kosovën, por deri më tani nuk ka asgjë”, ka deklaruar shkurtimisht Daku për GazetaOlle.
Sulmuesi i Ballkanit nga Suhareka ishte ftuar edhe në muajin nëntor nga Kosova, ku kishte debutuar në ndeshjen miqësore përballë Shqipërisë.
Sulmuesi i talentuar ka marrë përkrahje jashtëzakonisht të madhe nga tifozët Dardanë që duan ta shohin atë të ftuar te Kosova.