Sivjet mbushen 35 vjet nga koha e demonstratave të studentëve në Prishtinë, ndërkohë që as pas kaq vitesh ish-studenti Shefki Daku nuk ka arritur t`i mësojë disa gjëra. Për të mbetet enigmë se kush e rrotulloi pjatën e parë në mensën e studentëve, kush e lëshoi ekskavatorin për të shpërthyer kordonin e policisë, kush e bëri atë, kush…
Si pjesëmarrës i ngjarjeve të 81-shit, Daku i ka të paqarta disa gjëra ende. Ka dëgjuar një emër, për të cilin është thënë se e ka përmbysur pjatën i pari, pastaj një tjetër emër, edhe një tjetër dhe askush nuk i ka demantuar.
“Unë për vete kam qenë aty, por nuk e kam parë cili student e ka nisur revoltën. Nuk e di as tani pas 35 vitesh”, thotë Daku.
Ai kërkon që të mbahet një tryezë shkencore, për të diskutuar me thellësisht për ngjarjet e 81-shit, kur fillon kthesa e madhe e Kosovës në rrugëtimin drejt lirisë, që prej aty e këndej do të zgjasë edhe 19 vjet të tjera.
Epoka e studentëve në të vërtetë është vazhdimësi e një rrugëtimi shekullor për liri e mëvetësi, që u përball me shumë sfida, por nuk u ndal asnjëherë, deri sa shkundi e rrënoi themelet e Jugosllavisë dhe të Serbisë.
35 vjet pas pranverës së vitit 1981, është krijuar distancë e mjaftueshme për t`i analizuar gjërat.
“Nëse dikur është dashur të mbahen fshehtas disa gjëra, për të shkak të pasojave, tani jemi në rrethana tjera dhe kjo arsye nuk ekziston më. Populli ka të drejtë t`i dijë organizatorët dhe aktorët kryesorë të asaj pranvere”, thotë Daku, ish-studenti i 81-it, më vonë, i arrestuar dhe burgosur si pjesëtar i Shtabit të Mbrojtjes në fshatin e tij në Dobërçan (1994).
Ai thotë se gjithmonë flitet në stilin “kam qenë njëri ndër organizatorët” dhe nuk e kupton pse ka kaq shumë enigma në këtë ngjarje.“Historia nuk shkruhet mbi enigma, por mbi fakte, e fakt është përmbysja e pjatës me fasule, lëshimi i ekskavatorit dhe ngjarje të tjera, ndërkaq mungojnë emrat konkretë të autorëve. Unë i kam dëgjuar dy-tre emra, madje në Gjilan, por ata hezitojnë të thonë po, unë kam qenë”, shprehet ai. /Kosova Sot/