Telegrafi

Daku: E kam merituar ftesën, por nuk e kundërshtoj vendimin e përzgjedhësit

(Foto: Instagram/mirlind19daku/KF Ballkani)

Golashënuesi më i mirë në Superligën e Kosovës, Mirlind Daku, nuk është ftuar nga Bernard Challandes për ndeshjet e marsit.

Përzgjedhësi i Dardanëve në konferencën për shtyp deklaroi se arsyeja e këtij vendimi është konkurrenca e madhe për vende në skuadër.

Ndërsa tash ka ardhur edhe reagimi i futbollistit, i cili konsideron se e ka merituar ftesën, porse e respekton vendimin e trajnerit.

(Foto: Instagram/mirlind19daku)

“Të dashur tifozë të futbollit të ekipit kombëtar. Ju falënderoj për mbështetjen e vazhdueshme dhe jam mirënjohës për vlerësimin. E ndjej obligim t’ju drejtohem pas shumë polemikave në lidhje me mosftesën nga trajneri Bernard Challandes”.

Lexo po ashtu Challandes shpjegon arsyen e mosftesës për Mirlind Dakun

“Unë gjithmonë e jap maksimumin në fushë dhe mundohem t’i ndihmoj ekipit, por në fund përzgjedhësi është personi kompetent që vlerëson se cili lojtar duhet të ftohet te kombëtarja”.

“Me formën që kam treguar mendoj se e kam merituar ftesën, por kjo nuk do të thotë̈ që e kundërshtoj vendimin e përzgjedhësit Challandes, përkundrazi e respektoj atë̈ dhe e falënderoj që ma dha mundësinë të isha aty në grumbullimin e kaluar”.

“Ju premtoj se do të punoj edhe më shumë që në të ardhmen të arrijë objektivat personal dhe të klubit tim dhe herën tjetër t’ia ndryshojë mendjen përzgjedhësit Challandes. Me respekt, Mirlind Daku!”, ka shkruar sulmuesi i Ballkanit në Facebook. /Telegrafi/