Kryetarja e Komisionit Qendror Zgjedhor, Valdete Daka, ka deklaruar se institucioni që ajo drejton është i gatshëm të organizojë zgjedhjet e mundshme të parakohshme.
Në një prononcim për Ekonomia Online, Daka madje ka deklaruar se zgjedhjet e parakohshme pavarësisht gatishmërisë së KQZ-së janë gjithmonë sfiduese.
“KQZ është institucioni i vetëm i cili organizon zgjedhjet dhe këtë e ka obligim kushtetues dhe deshëm apo nuk deshëm, kurdo që ato të shpallen, ne do t’i organizojmë, cilado qofshin, ato zgjedhje të jashtëzakonshme, të rregullta, lokale, parlamentare. Por natyrisht që zgjedhjet e parakohshme janë gjithmonë më sfiduese se sa zgjedhjet të cilat organizohen në afatet e parapara kushtetuese”, ka thënë Daka.
E para e KQZ-së ka pohuar se në momentin që Presidenti i shpallë zgjedhjet, menjëherë e kanë për obligim të marrin masat e duhura në mënyrë që procesi zgjedhor të jetë i rregullt dhe transparent.
Edhe sa i përket zgjedhjeve lokale që mbahen këtë vit, Daka ka thënë se janë të gatshëm të kryejnë të gjitha obligimet ligjore.
Edhe pse partitë në pushtet theksojnë se koalicioni po funksionon mirë dhe se nuk kanë nevojë të shkojnë në zgjedhje të parakohshme, partitë opozitare por edhe analistë politikë vlerësojnë se ato janë të pashmangshme dhe se mund të ndodhin më së largu në qershor.
Demarkacioni, asociacioni, por së fundmi edhe Ushtria, janë temat që mund të “shkaktojnë përçarje” në koalicionin qeverisës, e që do të bënin që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme.