Site icon Telegrafi

Daka: Shumë shpejt do të dalim me rezultatet, nga e mërkura fillojmë përgatitjet për balotazhin

Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka në një konferencë për media lidhur me mbarëvajtjen e procesit zgjedhor tha se dita e zgjedhjeve lokale të 22 tetorit është ndër ditët më të mira për demokracinë e Kosovës, ndërsa tha se KQZ menjëherë do t’i fillojë përgatitjet për organizimin e raundit të dytë të zgjedhjeve.

Daka tha se në Qendrën numërimit dhe të rezultateve është pranuar materiali i ndjeshëm zgjedhor nga të gjitha komunat dhe së shpejti fillojnë numërimin e votave me kusht, votave përmes postës dhe votave të personave me nevoja të veçanta.

Ajo tha se nuk ka qenë aspak e lehtë për KQZ-në që nga një proces zgjedhor të kalojë në procesin tjetër, por tha me zgjedhjet e 22 tetorit Komisioni ka dëshmuar kapacitete dhe vullnet për përmbushjen e detyrimeve.

Kryetarja e KQZ-së tha se zgjedhjet janë organizuar në mënyrën më të mirë të mundshme, ndërsa për këtë falënderoi të gjithë të involvuarit në proces.

“Fakti që edhe misioni i vëzhguesve të BE-së e ka vlerësuar punën e Komisionit qendror të zgjedhjeve na gëzon pa masë. Sigurisht se pas çdo procesi zgjedhor KQZ pranon rekomandimet për mangësitë eventuale në mënyrë që ato të përmirësohen për proceset e ardhshme zgjedhore”, tha ajo.

Daka tha se puna e KQZ-së tani e tutje është në shpalljen sa ma të shpejtë të rezultateve përfundimtare, ndërsa nga e mërkura do të fillojnë përgatitjet për raundin e dytë të zgjedhjeve.

“Ju njoftojmë se në Qendrën numërimit dhe të rezultateve është pranuar materiali i ndjeshëm zgjedhor nga të gjitha komunat dhe së shpejti fillojmë numërimin e votave me kusht, votave përmes postës dhe votave të personave me nevoja të veçanta”, njoftoi Daka.

Ndryshe, Daka sqaroi edhe rreth problemeve në publikimin online të rezultateve.

“Në fakt, Komisioni qendror zgjedhor angazhon një operator që bën transmetimin e këtyre rezultateve dhe natyrisht teknologjia gjithmonë nuk është në duar tona, por është teknologji. Besoj që në raundin e dytë do t’i kemi rezultatet shpejt, siç jemi mësuar t’i kemi”, tha ajo. /Telegrafi/

 

Exit mobile version