Site icon Telegrafi

Daka: I paqartë rekomandimi për certifikimin e kandidatëve me probleme ligjore

Komisionit Qendror të Zgjedhjeve i është rekomanduar nga Zyra për Regjistrimin e Partive Politike dhe Certifikim, që të certifikojë listën e kandidatëve për deputetë ashtu siç u është dorëzuar nga partitë politike.

Mirëpo për këtë gjë, kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka tha se ky rekomandim nuk e sqaron se cili kandidat i plotëson kriteret e cilët jo.

“Nuk e kemi të qartë se cilët kandidatë i plotësojnë kushtet e cilët jo. Zyra për Regjistrimin e Partive Politike dhe Certifikim është ajo që e bënë filtrimin dhe e dërgon rekomandim. Kërkesat i janë dërguar të gjitha institucioneve dhe pastaj është kërkuar nga subjektet politike që të zëvendësohen kandidatët që nuk i kanë plotësuar kriteret. Rekomandimin që e kemi sot nuk na shpjegon se a i përmbushin këta kandidatë kriteret e apo jo”, tha Daka, shkruan Telegrafi.

Daka shtoi duhet t’u sillen të gjitha dokumentet, duke shtuar se tash nuk është e qartë se a do të mbesin kandidatët të cilët janë zëvendësua sipas zyrës apo do të mbesin ata kandidatë që i kanë dorëzua subjektet politike.

“Subjektet politike që i kanë zëvendësuar kandidatët e tyre me të drejtë mund të ngrisin çështjen dhe të kërkojnë që t’i kthejnë kandidatët që kanë qen fillimisht. Kish qenë mirë që të na sjellën të gjitha shkresat dhe komunikimet që janë bërë në mes të Zyrës Ligjore dhe institucioneve të tjera. Praktikisht nuk e kemi të qartë çfarë ka ndodhur dhe çfarë po ndodh”, tha Daka.

Yll Buleshkaj nga Zyra për Regjistrimin e Partive Politike dhe Certifikim tha se rekomandimi është i qartë, pra që të gjithë të certifikohen.

“Zyra asnjëherë nuk ka kërkuar zëvendësimin e kandidatëve. Vetëm janë njoftuar pra nuk ka qenë kërkesë. Zëvendësimi ka qenë vullnetarisht nga subjektet politike”, ka thënë Buleshkaj./Telegrafi/

Exit mobile version