Site icon Telegrafi

Daka: KQZ-ja s’mund të fajësohet pse mijëra mërgimtarë nuk do të mund të votojnë

Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Kosovë, Valdete Daka, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë thotë se zgjedhjet e parakohshme, ishin shumë sfiduese, marrë parasysh afatet e shkurtra kohore për organizimin e tyre.

Ajo pranon se një pjesë e diasporës nuk do të mund të votoj, por thotë se KQZ nuk mund të fajësohet, ngase afatet kanë qenë të shkurta, kurse procedurat ligjore kërkojnë më tepër kohë.

Zonja Daka, më 11 qershor në Kosovë do të mbahen zgjedhjet e parakohshme. Sa do të jetë sfiduese për KQZ-në, mbarëvajtja dhe cilësia e këtij procesi?

Daka: Zgjedhjet e parakohshme janë gjithmonë sfiduese, aq më tepër që tash kemi një afat minimal prej 30 ditësh dhe tashmë kanë mbetur jo më shumë se dy javë. Deri më tani kemi pasur sfida pikërisht për shkak të afateve jashtëzakonisht të shkurtra. Një prej tyre, ka qenë edhe votimi jashtë Kosovës, ku ne padrejtësisht jemi sulmuar dhe atakuar se kinse me qëllim po i parandalojmë votuesit nga mërgata që fare nuk është e vërtetë.

Ne kemi bërë gjithë atë që kemi pasur mundësi, si në aspektin ligjor ashtu edhe në atë teknik që t’ua mundësojmë të gjithë atyre që janë me të drejtë vote ta shfrytëzojnë këtë të drejtë.

Ka edhe shumë sfida të tjera, duke filluar, nga ato që janë më banale, që është lodhja kronike që e përcjell gjithë stafin e KQZ-së, anëtarët, duke më përfshirë edhe mua, ku tanimë nuk kemi kohë për familje e as, si ta them, një jetë personale.

Këto janë ato sfidat më banale, duke mos i përfshirë ato sfidat reale, e që janë afatet ku ne rrezikojmë që ndonjëherë të mos i arrijmë t’i përmbushim të gjitha. Ndonjëherë edhe i përfundojmë afatet apo funksionet tona në mënyrë të përshpejtuar.

Ju e përmendët, por edhe është raportuar se ka pasur disa probleme me aplikimet e mërgimtarëve për të marrë pjesë në zgjedhje. Ku qëndron problemi, a do të mbeten mërgimtarët pa votuar?

Daka: Do të përgjigjem nga pjesa e dytë e pyetjes. Po, me siguri që mërgimtarët do të mbesin pa votuar, po jo me fajin e KQZ-së. Është fakt i pamohueshëm që ligji që është në fuqi, e parasheh mënyrën e aplikimit për regjistrim si votues, pastaj janë proceduara të komplikuara, të cilat po të ishin zgjedhje të rregullta do të zgjasnin me muaj.

Kurse, neve kemi pasur 7 ditë që të aplikohet për regjistrim. Pra, afatet kanë qenë jashtëzakonisht të shkurtra. Pastaj, teknikisht, ne ua kemi mundësuar të gjithë qytetarëve me të drejtë vote që të aplikojnë edhe online (përmes internetit). E kemi hapur edhe e-mailin tonë (adresën elektronike), mirëpo e-maili nuk ka arritur t’i pranojë të gjithë ata që kanë qenë të interesuar, sepse ka pasur shumë klikime në të njëjtën kohë dhe ndonjëherë është bllokuar. Megjithatë, aq sa kemi pasur mundësi, e kemi përmbushur obligimin tonë ligjor.

Sa është konstruktive deri më tani sjellja e partive politike karshi këtij procesi?

Daka: Ne, në fakt, nuk kemi ndonjë kontakt me partitë politike, veç zyrës për regjistrim ku deri më tash kanë aplikuar për certifikim për këto zgjedhje dhe ne nuk kemi pasur ndonjë problem deri më tani.

Si do të organizohen zgjedhjet në veri të vendit, parashihni ndonjë problem në atë pjesë?

Daka: Zgjedhjet në veri do të organizohen si në pjesën tjetër të Kosovës Ne i kemi atje katër zyrtarë tanë, pra në katër komuna kemi zyrtarët tanë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, të cilët i raportojnë KQZ-së dhe të cilët i bëjnë përgatitjet sipas ligjeve në fuqi dhe natyrisht që atje do të organizohen sikur edhe në pjesën tjetër.

Këtë herë përsëri do ta kemi ndihmën e OSBE-së, por, me një kapacitet jashtëzakonisht të reduktuar dhe me një kompetencë plotësisht të reduktuar vetëm në këshilla dhe ndihmë teknike.

Sa janë krijuar kushte të favorshme për vëzhgim dhe monitorim të zgjedhjeve?

Daka: Kushte për vëzhgim ka. Ne vetëm kemi filluar t’i pranojmë kërkesat e vëzhguesve qoftë ndërkombëtarë, qoftë nga organizatat e ndryshme botërore, të cilat do të jenë këtu prezent në ditën e zgjedhjeve.

Ndërkaq, ne e dimë se OSBE/ODIHR, si institucioni më i besueshëm për vëzhgim, nuk vjen në Kosovë për shkaqe politike tashmë të ditura, sepse ne nuk jemi pjesë e OSBE-së. Shpresojmë që ndoshta edhe ata do ta ndërrojnë qasjen shumë shpejt dhe do të jemi pjesë edhe e këtij institucioni. /REL/

Exit mobile version