Site icon Telegrafi

Daka: Këshilli Gjyqësor nuk i ka kryer siç duhet verifikimin e kandidatëve në zgjedhjet e parakohshme

Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valdete Daka ka thënë se në zgjedhjet e parakohshme dhe ato të jashtëzakonshme listat me kandidatët e dërguar në Këshillin Gjyqësore të Kosovës shumë rrallë janë verifikuar, për të parë nëse kanë ndonjë vepër penale.

Sipas saj, në zgjedhjet e rregullta ky verifikim është kryer nga KGJK-ja.

“KQZ gjatë procesit të certifikimit të subjekteve politike, zbaton Ligjin për Zgjedhjet të Përgjithshme dhe ato Lokale si dhe rregulloren e saj. Sa i përket aplikimit të kandidatëve për certifikim procedura është kjo: subjekte politike duhet të dorëzojnë listën e kandidatëve dhe për secilin kandidat duhet të dorëzojnë formularin e certifikimit të kandidatit dhe nënshkrimin se nuk mban asnjë post bazuar me ligjet e Kosovës. ZRPP gjatë shqyrtimit të aplikacioneve shqyrton aplikacionet nëse janë të plota, dhe a janë përmbushur kriteret në bazë të ligjeve të Kosovës. Lista e kandidatëve i është dorëzuar KGJK-së, për të marr konfirmimin nëse ndonjë kandidat është dënuar në tri vitet e fundit. Në zgjedhjet e jashtëzakonshme dhe parakohshme për shkak të afateve të ngjeshura shumë rrallë është kryer siç duhet ky verifikim, ndërsa për zgjedhjet e rregullta është kryer ky verifikim deri më 2013”, ka thënë Daka.

Daka tha se Zyra për Regjistrim të Partive Politike (ZRPP) nuk ka qenë e informuar për veprën penale ndaj Arifit.

“ZRPP nuk qenë e informuar që me vendim të formës së prerë gjyqësore, i është ndaluar Arifit që të jetë deputet në Kuvendit të Kosovës. Me kërkesën për dorëzim të partisë politike është dorëzuar dhe një kërkesë për certifikim të kandidatit. Më 10 shtator të vitit 2019 partia e tij dhe kandidati janë certifikuar, rekomandimi nga ZRPP ka ardhur pasi dokumentacioni është verifikuar”, ka thënë ndër të tjera Daka. /Telegrafi/

Exit mobile version