Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka marrë vendim që të rinumërohen edhe 530 vendvotime.
Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka ka thënë se rinumërimi do të fillojë sot pasdite, ajo po ashtu ka thënë se duhet të informohen subjektet politike për vendimin për rinumërim, transmeton Telegrafi.
“I bëj thirrje publike edhe Policisë edhe Prokurorisë se munden me qëndrua në Qendrën për Numërim dhe Rezultate (QNR) dhe t’i marrin provat se në ato vendvotime janë bërë manipulime të llojeve të ndryshme. Askush nuk e ndalon as Prokurorinë e as Policinë që nga sot të jetë në QNR dhe t’i merr automatikisht edhe emrat edhe numrat e vendvotimeve”, ka thënë Daka gjatë mbledhjes së KQZ-së.
Vendimi për rinumërim të 530 vendvotimeve është marrë pas rekomandimeve të bëra nga Qendra për Numërim dhe Rezultate (QNR), se në ato vendvotime ka pasur kryesisht probleme teknike.
Kujtojmë se QNR ka rinumëruar edhe 314 vendvotime, që po ashtu kanë pasur probleme të kësaj natyre.
Zgjedhjet parlamentare janë mbajtur me 6 tetor, ku kanë votuar 812 mijë e 49 votues apo 44.18 për qind./Telegrafi/