Telegrafi

Daja i lumtur me fitoren ndaj Llapit: Kemi mposhtur një ekip pretendent

Ballkani ka arritur fitore shumë të rëndësishme në garën për titullin e kampionit.

Suharekasit kanë triumfuar në derbin e xhiros së 23-të në BKT Superligë përballë Llapit me rezultat minimal 1-0.

Golin e vetëm në këtë takim e realizoi sulmuesi anësorë Ermal Krasniqi 15 minuta para fundit tëndeshjes.

Pas ndeshjes trajneri i Ballkanit, Ilir Daja është shprehur shumë i lumtur me tri pikët, pasi tha se kanë mposhtur një rival për titullin e kampionit.

“Kemi fituar një ndeshje të fortë ndaj një ekip i pretendent siç është Llapi. E kemi ditur se do të kemi pak raste pasi kështu është në një ndeshje derbi dhe arritëm ta shfrytëzojmë momentin me Krasniqin që shënoi”.

“Patëm mungesa në ekip pasi Edvin Kuç u detyrua të largohet nga fusha shkaku i lëndimit kurse nuk luajti fare Armend Thaqi. Mirëpo, e fituam një lojtar si Lindon Emërallhu që do të jetë i rëndësishëm për pjesën e mbetur të sezonit”, vazhdoi tutje Daja.

Për trajnerin tiranas ishte fitorja e 400-të në karrierën e tij dhe për këtë është shumë i lumtur.

“Jam i lumtur për fitoren dhe më vjen mirë që ndeshja ime e 400-të në karrierë u mbyll me fitore dhe shpresoj të vazhdojmë me këtë ritëm edhe në ndeshjet tjera”.

“Ne do të kemi qetësi vetëm deri nesër kur do të fillojmë përgatitjet për ndeshjet tjera pasi kemi një orar shumë të ngjeshur. Duhet të vazhdojmë me këtë dëshirë të grupit deri në fund të sezonit”, deklaroi Daja.

Me këtë fitore Ballkani vazhdon kryesimin në BKT Superligë me 48 pikë, derisa Llapi mbetet e katërta në tabelë me 39 pikë. /Telegrafi/