Ballkani nuk ka arritur më shumë se një barazim pa gola 0-0 në ndeshjen derbi ndaj Prishtinës.
Ishte një ndeshje shumë e luftuar nga të dyja skuadrat, derisa vlen të përmendet se trajneri Ilir Daja nuk e ndoqi deri në fund nga banka rezervë pasi u përjashtua me karton të kuq.
Trajneri tiranas ka kritikuar Federatën e Futbollit të Kosovës për delegimin e gjyqtarëve, pasi u ndëshkua me karton të kuq.
“Shumë e thjeshtë, kërkova që gjyqtari jo në çdo vendim të lidhet me VAR-in. Nëse gjyqtari kryesor nuk është i zoti të drejtoi ndeshjen më mirë, federata mos të delegojë gjyqtarë të tillë. Unë i thash të mos e ndërpres ndeshjen vazhdimisht. I thash gjyqtarit na lërë të luajmë futboll. Më dha karton të verdhë dhe i thash faleminderit. Nëse nuk është i zoti mos të na sjellin gjyqtarë të tillë. Kjo është për federatën”, ka thënë Daja pas ndeshjes.
Tutje Daja kishte edhe një kritikë tjetër për FFK-në që i ka vendosur dy ndeshjet e mbetura të Ballkanit të zhvillohen këtë javë, fillimisht me Dritën të mërkurën dhe pastaj me Gjilanin në fundjavë.
“Na i ka lënë dy ndeshjet e fundit me 20 dhe 24 dhjetor. Kur Dinamo e Zagrebit, që ka dy herë më shumë lojtarë se ne, dy ndeshje të prapambetura ia ka shtyrë për sezonin pranveror. Ne do të vazhdojmë të luftojmë”.
“Gjithë ky mllef nuk është për rezultatet. Jemi në diferencë pikësh me të tjerët, por kam frikë dëmtimin e lojtarëve pasi ndeshje pas ndeshje na mungojnë lojtarë”.
“Nuk ka logjikë që Ballkani të bëjë 33 javë në gjysmën e kampionatit e 22 në gjysmën e dytë. Për këtë lloj nderi që i kemi bërë futbollit të Kosovës, të mos shkatërrohen lojtarët me idenë hajt ta gjejmë Ballkanin në ditë të vështirë. Nuk do të na gjejnë kurrë në ditë të vështirë”, ka theksuar Daja. /Telegrafi/