Telegrafi

Daja dhe Korenica duan fitore edhe në ndeshjen e dytë ndaj La Fiorita

Kampioni i Superligës së Kosovës, Ballkani do të përballet nesër (e martë) në ndeshjen kthyese kundër skuadrës nga San Marino, La Fiorita të cilën e mposhti në ballafaqimin e parë si mysafir me rezultat të thellë 4-0 në kuadër të rrethit të dytë të Ligës së Konferencës.

Trajneri i Ballkanit, Ilir Daja, gjatë konferencës për shtyp para ndeshjes ka zbuluar se përveç mbrojtësit, Bajram Jashanica, i cili u lëndua në ndeshjen e parë, nesër mund të mos jetë pjesë e formacionit titullar as mesfushori i talentuar, Lindon Emërllahu.

“Do jemi në përqendrimin maksimal sepse nuk do mendojmë se si ka dalë ndeshja në transfertë”.

“Ndryshime në formacion besoj që nuk do të ketë përveç mungesave që kemi sepse dihet tashmë që Jashanica është dëmtuar në ndeshjen e parë dhe nuk do të jetë prezent nesër, një problem të vogël ka pasur edhe Emërllahu”, ka thënë ai

Korenica: Fitore edhe në ndeshjen e dytë

Mesfushori i Ballkanit, Meriton Korenica ka thënë se ekipi nga Suhareka synon fitore edhe në ndeshjen e kthimit ndaj La Fioritas të San Marinos.

“Atmosfera në skuadër është shumë e mirë. Jemi gati për ndeshjen e kthimit. Ndeshjes do ti qasemi me seriozitet të lartë dhe do të hyjmë për të fituar edhe në ndeshjen e dytë”, tha Korenica në konferencën për shtyp.

Kjo ndeshje luhet të martën prej orës 20:00 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë dhe i takon raundit të dytë kualifikues të Ligës së Konferencës. /Telegrafi/