Shtetet anëtare të Bashkimit Evropian kanë rënë dakord për hapjen e bisedimeve të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë brenda një viti, nëse reformat në të dy vendet vazhdojnë të shënojnë progres, shkruan dailymail.co.uk.
Ministrja e Jashtme bullgare, Ekaterina Zaharieva, vendi i së cilës mban presidencën e radhës së BE-së, deklaroi dje se kjo ishte “një ditë e rëndësishme” për të dy vendet, si dhe “për Ballkanin Perëndimor në tërësi”.
Shumica e vendeve anëtare të BE-së mbështetën hapjen e negociatave të anëtarësimit menjëherë. Franca dhe Holanda e kundërshtuan këtë hap, duke deklaruar se fillimisht kërkonin që reformat të jenë të pandërprera.
BE-ja numëron aktualisht 28 vende anëtare, edhe pse Britania e Madhe pritet të largohet nga blloku në fund të marsit të vitit 2019. /Telegrafi/