Site icon Telegrafi

‘Daily Mail’, raportim special për Kosovën

Media e njohur angleze, “Daily Mail”, i ka kushtuar një artikull debutimit historik të Kosovës në kualifikueset e Kupës së Botës “Rusi 2018”. Më poshtë vijon shkrimi i plotë.

U bënë 25 vjet që nga koha kur futbollistët kosovarë u rebeluan ndaj sunduesit jugosllav, dhe më në fund, vendi i vogël i Ballkanit po del nga shkretëtira sportive me debutimin në fushatën e tyre të parë kualifikuese për Kupën e Botës.

“Është një moment i veçantë, shumë emocionues dhe shumë i rëndësishëm”, tha Eroll Salihu, Sekretari i Përgjithshëm i Federatës së Futbollit të Kosovës.

Aventura për në Kupën e Botës fillon të hënën në Finlandë, por trajneri Albert Bunjaki është ende i paqartë nëqoftëse të gjithë 25 futbollistët e grumbulluar do të lejohen të luajnë. 10 futbollistë ishin ende në pritje të lejes së FIFA-s në kohën e përzgjedhjes.

Pavarësisht popullsisë nën dy milion, lista e futbollistëve të mundshëm është impresionuese dhe përfshin yje të Premier Ligës si Xherdan Shaqiri, Granit Xhaka, Valon Behrami dhe Adnan Januzaj.

Problemi qëndron te fakti që ata luajnë për përfaqësuese të tjera, shtete të cilat strehuan familjet e tyre kur 900 mijë shqiptarë të Kosovës u shpërngulën prej luftës. Shumë prej tyre u vendosën në Zvicër ose vendet skandinave. Të tjerë, si për shembull vëllai i madh i Granit Xhakës, Taulanti, përfaqësojnë Shqipërinë. Këto ekipe nuk janë të gatshme të humbin lojtarët e tyre.

Interesi i Shaqirit u drodh, sidomos kur Zvicra nuk e bëri atë kapiten të skuadrës para EURO 2016. Xhaka i Arsenalit nuk la vend për të kuptuar zgjedhjen e tij, derisa javën e kaluar u detyrua të nxjerrë një deklaratë pasi po konsiderohej si tradhtar nga një pjesë e publikut në Kosovë.

Ai tha se dëshironte të luante për Kosovën, por pretendoi se FIFA ia ka ndaluar diçka të tillë sepse u aktivizua me Zvicrën në EURO 2016, pasi Kosova ishte pranuar në FIFA dhe ishte lejuar të merrte pjesë në kualifikueset e Kupës së Botës.
“Jemi me fat”, tha Salihu. “Ne kemi futbollistë të rinj të talentuar dhe strategjia jonë është të ndërtojmë një ekip për 6-8 vitet e ardhshme, jo vetëm për këto kualifikuese.”

Salihu dhe Bunjaki luanin për Prishtinën në shtator 1991, kur lojtarët kosovarë sfiduan shtetin dhe u shkëputën nga liga jugosllave. Milicia ndaloi lojërat e rebelëve, të cilët u bënë një simbol i shpirtit të pavarur të Kosovës, ndërkohë që Federata e Futbollit të Jugosllavisë nuk i lëshonte dokumentat e regjistrimit që futbollistët të lëviznin jashtë shtetit.

Kur të hënën në Turku të Finlandës të këndohet himni, këto pamje do t’iu kujtohen Salihut, Bunjakit dhe presidentit të FFK-së, Fadil Vokrrit, i cilësuar si futbollisti më i mirë i historisë së Kosovës.

Shteti i Kosovës mund të festojë një tjetër fitore në kërkimin e tyre për njohje ndërkombëtare. Pavarësisht rezultateve, ata po ndërtojnë një të ardhme në futboll.

Exit mobile version