Telegrafi

Dafina Zeqiri: Të shpallet ditë zie për gratë e vrara

Artistja e njohur shqiptare, Dafina Zeqiri ka reaguar për vrasjen e gruas në Pejë, e cila dyshohet se u qëllua me armë zjarri nga bashkëshorti i saj.

Nëpërmjet një postimi në rrjetet e saj sociale, Dafina bëri thirrje që të shpallet ditë zie për gratë e vrara.

Nuk është hera e parë që Dafina ka reaguar për raste të tilla, duke qenë se në të shumtën e rasteve ka ngritur zërin për çështje të tjera që kanë mbërthyer gratë në Kosovë.

Në një postim tjetër, artistja tha se organet kompetente duhet të bëjnë zgjidhje për këto çfarë po ndodhin viteve të fundit.

“Përderisa shteti nuk i merr seriozisht viktimat, përfundimi do të jetë i njëjtë. Organet kompetente duhet të bëjnë një zgjidhje për këto çfarë po ndodhin viteve të fundit”, ka deklaruar Dafina.

Reagim të ashpër për vrasjen e gruas nga Peja ka bërë edhe reperja e njohur, Gjira Kajtazi.

Lexo po ashtu Gjira reagon për vrasjen e gruas në Pejë: Ku s’dul kurrë një femër që e mbyt burrin, s’është që se lypni edhe ju

Vrasja e gruas në Pejë ka tronditur sot Kosovën. E ndjera 43-vjeçare e cila ishte një punonjëse shëndetësore dyshohet se u qëllua me armë zjarri nga bashkëshorti i saj, ngjarja ndodhi në banesën e tyre.

Autoritetet kanë bërë të ditur se e kanë arrestuar të dyshuarin.

Vetëm pak ditë më parë, një rast po ashtu i ngjashëm u raportua në Ferizaj, një grua u qëllua me armë zjarri nga ish-bashkëshorti i saj. /Telegrafi/