Telegrafi

Dade: Kufijtë duhet t’i bëjmë të papërfillshëm

Deputetja e Partisë Socialiste, njëherësh kryetare e Komisionit për Politikën e Jashtme në Shqipëri, Arta Dade, ka thënë se Shqipëria dhe Kosova kanë rol shumë të rëndësishëm në rajon si faktor stabiliteti, bashkëpunimi dhe tolerance me vizionet e tyre të qarta për një Ballkan të evropianizuar.

Në një intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, deputetja Dade ka theksuar se dy shtetet shqiptare duhet të artikulojnë veprime të përbashkëta në mënyrë që t’i bëjnë kufijtë e papërfillshëm.

Duke folur rreth agjendës evropiane të Kosovës, ajo ka thënë se Kosova duhet t’i përmbushë kriteret për liberalizimin e vizave, në mënyrë që të mos bllokohet lëvizja e lirë e qytetarëve.

Dade ka bërë me dije se asnjëherë nuk do të mungojë mbështetja e Shqipërisë dhe e Komisionit për Punë të Jashtme që Kosova të jetë pjesë e të gjitha organizmave rajonale dhe parlamentare. Deputetja socialiste ka folur edhe për mosnjohjen e Kosovës nga pesëshja e BE-së.

Ajo ka thënë se është paradoksale që ende këto pesë shtete nuk e njohin Kosovën, pavarësisht se ato e mbështesin të ardhmen evropiane të saj.