Site icon Telegrafi

Daçiqit nuk i pëlqeu që Haradinaj e përmendi Kosovën Lindore

Ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Ivica Daçiq, ka komentuar një deklaratë të kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, në të cilën, sipas tij, Haradinaj e ka përmendur Kosovën Lindore, duke thënë se kjo nuk është hera e parë që një zyrtar kosovar, Preshevën dhe Bujanocin e ka quajtur me këtë term.

“Kjo nuk është hera e parë dhe nuk është asgjë e re. Kur Isa Mustafa ishte kryeministër dhe ka pritur kryetarët e komunave të Bujanocit dhe Preshevës, si dhe përfaqësues të partive politike nga Presheva, Bujanoci dhe Medvegja, ata gjithashtu e kanë përdorur frazën që ka pritur përfaqësuesit e Kosovës lindore. Unë për këtë kam reaguar me një komunikatë dhe i kam shkruar Komisionit Evropian”, u tha Daçiq gazetarëve, raporton Tanjugu.

Kreu i diplomacisë serbe tha se zyrtarët kosovarë nuk i përdorin këto terma rastësisht.

“As Thaçi nuk tha rastësisht se në Koshare deshën ta rrënojnë kufirin midis popullit shqiptar dhe dy shteteve  shqiptare. Nuk ka folur rastësisht Rama rreth asaj se do të formohet Shqipëria e Madhe. Nuk e di kush prej tyre pati thënë se do të vijnë deri në Nish. Këto të gjitha janë qëllimet e tyre që nga Lidhja e Prizrenit e deri më sot”, nënvizoi Daçiç, përcjell Telegrafi.

Ai theksoi se ndaj kësaj nuk do të reagojnë vetëm ata që nuk duan të shohin, atë që nuk duan të sanksionojnë, të lejojnë dhe tolerojnë dhe ai që këtë e mbështet në Perëndim.

Shefi i diplomacisë serbe ka reaguar ndaj deklaratave të zyrtarëve kosovarë, të cilët territoret e banuara me shqiptarë i quajnë Kosovë Lindore, por ai nuk ka reaguar dhe ndaj deklaratave të zyrtarëve të tij që Kosovën vazhdojnë ta quajnë “Kosova dhe Metohia”.  /Telegrafi/

Exit mobile version