Ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Ivica Daçiq, ka thënë se tani është momenti i duhur që në arenën ndërkombëtare të bëhen lëvizje në zgjidhjen e çështjes së Kosovës, pasi sipas tij, kjo situatë mund të ndryshojë në SHBA pas zgjedhjeve të ardhshme presidenciale.
Gjatë një interviste dhënë televizionit serb Pink, ai tha se duhet të shfrytëzohet rasti për arritjen e marrëveshjes për Kosovën, pasi që ai beson se është e mundur që në pushtet në SHBA të vjen administrata “që ishte e keqe për ata”, transmeton Telegrafi.
“Administrata e Obamës nuk ka qenë aq e keqe sa ishte ajo e Clintonëve. Pyetja është se sa do të ishte mirë për ne rikthimi i Joe Biden dhe disa njerëzve të këtij rrethi”, ka deklaruar Daçiq.
Shefi i diplomacisë serbe, beson se liderët kosovarë presin që një gjë e tillë të ndodhë.
“Për ne edhe ky është një opsion, por besoj se kurrë nuk do të arrijnë të bëhen anëtarë të Interpolit, UNESCO-së e mos të flasim për anëtarësimin në OKB”, ka shtuar Daçiq.
Ai gjithashtu ka komentuar deklaratat e liderëve kosovarë për demarkacionin e mundshëm, duke shtuar se bëhet fjalë për “një zhurmë që vjen nga Prishtina me qëllimin të mos arrihet kurrfarë zgjedhje”.
“Ata nuk kanë pritur që do të kenë presione të tilla nga komuniteti ndërkombëtarë për heqjen e taksës. Mendoj se për këtë SHBA-të nuk do t’i vënë sanksione Prishtinës, por kanë paralajmëruar kufizime në bashkëpunimin ushtarak dhe të sigurisë”, ka thënë shefi i diplomacisë serbe