Telegrafi

Daçiq vazhdon me gjuhën e tij fyese, thotë se nuk munden njerëzit e ‘malit’ të shpallin serbët terroristë

Kryetari i partisë Sociale të Serbisë (SPS) dhe njëherit ministri i Jashtëm i këtij vendi, Ivica Daçiq, ka vazhduar me ofendimet e tij në llogari të shqiptarëve dhe Kosovës.

Duke folur për ekstradimin e mundshëm të Millan Radoiçiqit, i cili kreu sulmin terrorist në Banjskë, ku si pasojë mbeti i vrarë një polic i Kosovës dhe dy tjerë u plagosën, ka thënë se ‘shqiptarët e malit’ nuk mund të cilësojnë serbët si terroristë, transmeton Telegrafi.

“Presidenti Vuçiq ka thënë se hetimet kundër Radoiçiqit po vazhdojnë dhe të gjitha proceset gjyqësore do të udhëhiqen në gjykata tona. Natyrisht se qeveria në Prishtinë, që ka ardhur nga mali, nga UÇK-ja – e cilëson popullin serb si terroristë”, ka thënë Daçiq që njihet për gjuhën e tij ofenduese ndaj shqiptarëve.

Ai nuk hezitoi të pranojë haptazi se fletarresti i lëshuar nga INTERPOL-i për ish-nënkryetarin e Listës Serbe, Millan Radoiçiq, nuk do të thotë se ai do t’i dorëzohet Prishtinës. /Telegrafi/