Site icon Telegrafi

Daçiq tregon tri vende që nuk e kanë njohur Kosovën: Deri në fund të vitit, 5-10 vende do t’i tërheqin njohjet

Ministri serb i Punëve të Jashtme, Ivica Daçiq, duke folur për suksesin e delegacionit të Serbisë në takimet gjatë punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në New York, ka thënë se Omani, Uganda dhe Lesoto nuk e kanë njohur Kosovën edhe pse figurojnë në mesin e vendeve që e kanë bërë këtë, kurse deri në fund të vitit, sipas tij, pesë deri në dhjetë shtete do ta tërheqin njohjen e pavarësisë së Kosovës.

Siç raportojnë mediat serbe, shefi i diplomacisë serbe shkon aq larg duke thënë se “disa vende as nuk e dinë që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës” dhe tregon se ishte në një situatë kur ministri i Jashtëm të Somalisë, i ka thënë se “ata besojnë që Kosova është pjesë e Serbisë dhe se mbështesin integritetin territorial”, përcjell Telegrafi.

“I them atij, ‘hej, njeri, por ju e keni njohur Kosovën'”, ka thënë Daçiq, duke shtuar se ai është duke punuar në mënyrë aktive që të rishikohet lista e vendeve që e kanë njohur Kosovën, por këtë, sipas tij, e kundërshtojnë autoritetet në Prishtinë, sepse, thotë ai “ata nuk guxojnë t’ua thonë këtë qytetarëve të tyre”.

Ai përkujton se gjatë takimeve të OKB-së ka mësuar se Omani, Uganda dhe Lesoto nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, kurse Prishtina i ka futur në mesin e vendeve që e kanë bërë këtë.

Daçiq, duke komentuar vizitën e delegacionit kosovar në OKB, theksoi se Serbia ka dërguar një protestë në OKB, ashtu siç bëri çdo vit deri më tani, sepse, thotë ai, delegacioni i Kosovës ka keqpërdorur praninë në OKB.

Ai tha se delegacioni i Prishtinës përbëhej nga 41 persona, “që ishte delegacion me më shumë njerëz sesa ato të disa vendeve të mëdha”. /Telegrafi/

Exit mobile version