Site icon Telegrafi

Daçiq tregon pyetjen që ia bëri kryediplomatja gjermane Baerbock: “Si e mashtruat Thaçin ta nënshkruante marrëveshjen e Brukselit?”

Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, ka treguar detaje nga një bisedë me shefen e diplomacisë gjermane, Annalena Baerbock, lidhur me marrëveshjet e arritura mes Kosovës dhe Serbisë.

Shefi i diplomacisë serbe ka cituar kryediplomaten gjermane në një takim me të, që kishte të bënte me marrëveshjen e Brukselit (të vitit 2013), të nënshkruar nga kryeministri i atëhershëm Hashim Thaçi dhe ai serb Ivica Daçiq.

“Ajo më ka pyetur ‘se si e keni mashtruar Hashim Thaçin që ta nënshkruajë marrëveshjen e Brukselit?’, sepse siç thotë ajo, nuk ka kryeministër shqiptar që do ta zbatojë atë marrëveshje”, është shprehur Daçiq, transmetojnë mediat serbe, përcjell Telegrafi.

Ai duke folur për procesin dialogues ka theksuar se nuk pritet të ketë takime derisa të kryhen zgjedhjet në BE.

Më 19 prill të vitit 2013, Hashim Thaçi si shef i ekzekutivit të Kosovës dhe Ivica Daçiq si kryeministër i Serbisë, nënshkruan dokumentin e parë të parimeve në dialogun me Serbinë të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

“Arritja e kësaj marrëveshje është njohje e Kosovës, e subjektivitetit ndërkombëtar, sovranitetit dhe integritetit territorial”, kishte thënë ndër të tjera Thaçi në një konferencë për medie pas takimit me Daçiqin.

Që nga atëherë, shumica e pikave të marrëveshjes mbesin të pazbatuara. /Telegrafi/

Exit mobile version