Në Forumin e Dubrovnikut në Kroaci, ku temë kryesore është paqja, stabiliteti dhe siguria në Mesdhe, e ku po marrin pjesë edhe delegacioni i Kosovës dhe ai i Serbisë, ministri i jashtëm serb Ivica Daçiq ka folur për takimin mes presidentit kosovar Hashim Thaçi dhe atij serb Aleksanadar Vuçiq, që mbahet të hënën në Bruksel.
Siç shkruan B92, Daçiq tha se dy presidentët, Thaçi e Vuçiq, me përfaqësuesen e lartë të BE-së, Federica Mogherini, do të bisedojnë për modalitetet e formatit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, transmeton Telegrafi.
“Në vazhdim të dialogut do të bisedojnë presidentët Thaçi e Vuçiq, bashkë me Federca Mgherinin. Do të bisedohet për modalitete dhe formatin, por kur bëhet fjalë për dialogun në kuptim të gjerë, do të pritet derisa të formohet Qeveria e Kosovës”, tha Daçiq, në Dubrovnik
Ndërsa kur bëhet fjalë Kosovën, Daçiq tha se secili këtë çështje e sheh nga këndvështrimi i vet
“Ata (pala kosovare)po përpiqen që pjesën e fajit të vet, për mos realizmin e asaj që është përshkuar në Marrëveshjet e Brukselit, ta hedhin në disa probleme të përgjithshme. Më pastaj ne presim që ata të realizojnë ato për çka jemi dakorduar në Bruksel, e kjo para së gjithash ka të bëjë me formimin e Asociacionit të Komunave Serbe”, tha Daçiq.
Takimi i Thaçit dhe Vuçiqit në Bruksel është konfirmuar nga zyra e zonjës Mogherini, ku theksohet se kjo bisedë bëhet pas takimeve dypalëshe gjatë Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP), që u mbajt mbrëmë në Dubrovnik.
Ata do t’i këmbejnë pikëpamjet për vazhdimin e dialogut për normalizim të raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe, po ashtu, për zhvillimet më të gjëra në rajonin e Ballkanit Perëndimor, theksohet në fund të një kumtese të shkurtër të Zyrës së zonjës Mogherini. /Telegrafi/