Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiq, në një tekst autorial për gazetën ‘Alo’ përveç se ka shkruar për 100 ditëshin e qeverisë së re serbe, ka folur për diplomacinë aktuale të Serbisë, e me këtë rast ka përmendur edhe rastin e këndimit para presidentit turk Reccep Tayyip Erdogan.
Daçiq ka treguar se njëjtë i ka kënduar edhe Edi Ramës, Angela Merkelit, Sergej Lavrovit, e do t’i këndoj edhe presidentit amerikan Donald Trump nëse është nevoja, vetëm e vetëm që Serbia të fitojë.
Daçiq ka thënë se me këtë formë diplomacie Serbia po fiton dhe do të fitojë, pasi ajo e mëparshmja e ultimatumeve dhe e forcës, ka treguar se është dështim.
Ai me këtë rast ka përmendur edhe rastin ridështimit të Kosovës për t’u pranuar në UNESCO, pasi diplomacia kosovare në momentet e fundit vendosi të tërhiqet nga aplikimi për anëtarësim, shkruan gazetametro.net.
“Më ra prej zemrës guri i rëndë sa Deçani dhe Zoçishti, e pash përsëri shkëlqimin e Graçnicës, dhe e dija se shenjtërit tona në Kosovë mbesin të sigurta dhe që armiqtë nuk i morën. Kemi derdhur shumë djersë unë dhe presidenti Vuçiq për të bindur miqtë tanë në botë se është e rrezikshme të lejosh Pacollin, Haradinajn e Thaçin të hyjnë në UNESCO”.
Ai theksoi se disa anëtarë të organizatës që herën e fundit votuan për pranimin e Kosovës, i bindën të votonin kundër kësaj radhe.
Daçiq ka shkruar se pret që brenda dy vitesh, Kosova të përsëris kërkesën për anëtarësim, dhe se deri atëherë Serbia duhet të jetë e përgatitur më shumë se kurrë. Daçiq vlerëson se reputacioni i Serbisë por ngritet çdo ditë.
“Gjithkund na pranojnë më kënaqësi, askënd nuk e gënjejmë më … E di që shumëkush tani do të thotë: ‘Shuaj Ivica dhe këndo”, deklaroi ai, ndërsa shtoi se për Serbinë do të bënte gjithçka.
“Po, kam kënduar dhe do të këndoj. I kam kënduar Merkelit, Sergej Lavrovit, Ashtonit, Ramës, Erdoganit dhe Putinit. Do ti këndoj edhe Trumpit nëse ka nevojë, nuk më vjen turp. Diplomacia dhe fitoret diplomatike nganjëherë arrihen me këngë, me sharm, me shaka të mira dhe jo vetëm me ultimatume, reciprocitet dhe forcë. Serbia nuk është në pozitë të shtyhet me gjoks, e pamë se si kjo na ka sjellë dekada prapa”, ka thënë Daçiq.
Parlamenti dhe deputetët serbë sipas Daçiqit janë “aktorë në rrjetet sociale … ndërsa kur vjen puna për të bërë vërtetë diçka për Serbinë, mbesim unë dhe Vuçiq”.
“Sidoqoftë, ne vazhdojmë para, e kritikët le të vazhdojnë punën e tyre, pas nesh mbeten rezultatet”, ka thënë ai.