Zëvendëskryeministri serb në mandatin teknik Ivica Daçiq, deklaratat e politikanëve turq e boshnjakë lidhur me Serbinë, i ka vlerësuar dyfytyrëshe.
Në deklaratën me shkrim që e transmetojnë medie të Beogradit, Daçiq ka theksuar se “në vend se ta sulmojnë Serbinë, ata duhet ta kujtojnë Deklaratën e Kuvendit të Serbisë e cila në vitin 2010 e ka miratuar Deklaratën për dënimin e krimeve në Srebrenicë të cilën e kishte propozuar kryetari i atëhershëm serb Boris Tadiq” transmeton Koha.net.
“Është turp që gjashtë vjet pas boshnjakë dhe turq t’i mbajnë leksione Serbisë, ka thënë Daçiq duke shtuar se Serbia është e vetmja nga të gjitha vendet e Ballkanit që ka miratuar deklaratë parlamentare për krimet ndaj pjesëtarëve të një komuniteti tjetër.
“Askush nuk ka nxjerrë asnjë akt në hapësirën e ish-Jugosllavisë për të dënuar krimet kundër serbëve”, ka thënë Daçiq.
Ai e ka porositur ministrin e Jashtëm turk Mevlud Çavushoglu, i cili thotë se “kur qan Bosnja, Turqia nuk mund të fle e qetë”, dhe ia ka përkujtuar në zullumet turke gjatë pushtimit pesëshekullor.
“Çavushoglu do të duhet të qante para Çele Kullës në Nish, e ndërtuar nga kafkat e serbëve të vrarë në Çegër në vitin 1809. Mbase edhe nënat serbe kanë ndier dhembje kur ua kanë marrë fëmijët për të ashtuquajturin haraç në gjak duke bërë nga ta jeniçerë”, ka theksuar Daçiq i cili ka porositur se disa zyrtarë turq mund të gjunjëzohen edhe para Çele Kullës dhe t’iu kërkojnë falje serbëve për krimet gjatë atyre pesë shekujve.
Daçiq ka pyetur si do të reagonte Turqia sikur Serbia të dënonte vrasjen e një milion armenëve dhe ta quante atë gjenocid.
“Dhe pse boshnjakët nuk e dënojnë krimin ndaj armenëve ashtu si kanë bërë shumë popuj të botës? Dhe pse Boris Tadiq s’e kumton publikisht me kë është marrë vesh për tekstin e Deklaratës që e miratuam në Kuvend. Sigurisht se nuk e miratuam pa konsultime”, ka përfunduar Daçiq.