Site icon Telegrafi

Daçiq: Thirrja për dialog nuk nënkupton njohje të Kosovës

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, ka hedhur poshtë pretendimet se Serbia dëshiron ta njohë pavarësinë e Kosovës.

Daçiq ka thënë për televizionin publik serb se thirrjen e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, për dialog të brendshëm për Kosovën, disa e kanë kuptuar si thirrje për njohje të pavarësisë së Kosovës, por thotë se “kjo nuk qëndron dhe se Serbia kurrë nuk do ta bëjë një gjë të tillë”, përcjell Telegrafi.

“Dikush mendon se kjo çështje duhet të zgjidhet në atë mënyrë që Serbia të kapitullojë… Serbia nuk do ta bëjë këtë. Serbia thërret në dialog, jo pse është e dobët, por pse është e fortë dhe ka ide konkrete”, ka thënë Daçiq, duke shtuar se askush nuk duhet të përzihet në çështjen e dialogut, në qoftë se për këtë pajtohen shqiptarët dhe serbët.

“Sot e lexova një tekst të një shqiptari nga Brukseli, i cili sulmon teorinë time, kurse Belgjika dhe Holanda kanë këmbyer territore. Në qoftë se diçka bëhet me vullnet, pa dhunë, mendoj se për këtë s’ka nevojë askush të shqetësohet”, tha Daçiq. /Telegrafi/

Exit mobile version