Ministri i jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq ka thënë se pas bisedimeve me zyrtarët e SHBA-ve në Uashington se ndryshimi më i madh që erdhi me administratën e re të Shteteve të Bashkuara është se ata tanimë janë “të gatshëm për të dëgjuar argumentet e Serbisë” për Kosovën.
“Deri dy vjet më parë, kur flisnit me dikë, do të thoshin, ‘kjo është çështje e zgjidhur’. Tani ata thonë ‘duhet të ketë një kompromis’. Ky është një ndryshim i madh”, ka thënë Daçiq në një intervistë me Zërin e Amerikës.
Ai ka vënë në dukje se është shumë i kënaqur me bisedimet që kishte në Uashington me Ndihmës Sekretarin e Shtetit për çështjet e Evropës dhe Euroazisë, Wess Mitchell dhe Këshilltarin e Sigurisë Kombëtare në Shtëpinë e Bardhë, John Bolton.
“Për herë të parë, këtu i citoj fjalët, ata janë të gatshëm të dëgjojnë zgjidhje kreative për problemet e mundshme, përfshirë Kosovën. Kjo është një gjë shumë e rëndësishme për ne”, ka thënë Daçiq. /Telegrafi/