Telegrafi

Daçiq: Serbia asnjëherë nuk do të jetë pjesë e një koalicioni kundër Turqisë

Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, tha se vendi i tij asnjëherë nuk do të marrë pjesë brenda një koalicioni që do të punojë kundër Turqisë, raporton Anadolu Agency (AA).

Daçiq dhe Ministri i Jashtëm turk, Mevlut Çavushoglu, pas hapjes së Konsullatës së Nderit të Serbisë në Antalya, zhvilluan një konferencë të përbashkët shtypi.

“Ashtu siç e dini gjatë tentativës për grusht shteti më 15 korrik ne nuk pritëm se çka do t’i ndodhë (Recep Tayyip) Erdoganit, menjëherë e dënuam grusht shtetin. Dua të them edhe një herë që Serbia asnjëherë nuk do të marrë pjesë brenda një koalicioni që do të punojë kundër Turqisë”, tha kryediplomati i Serbisë, duke theksuar mbështetjen e vendit të tij ndaj Turqisë në kohërat e vështira.

Ai tha se me vizitën e vitit të kaluar të presidentit Erdogan në Serbi ka filluar një periudhë e re.

Daçiq gjithashtu tha se edhe ekonomikisht marrëdhëniet midis dy vendeve janë në drejtim të mirë dhe se të dy vendet janë të kënaqur nga kjo.

Daçiq shtoi se me Turqinë dëshirojnë që të zhvillojnë marrëdhëniet kulturore, arsimore dhe sportit.

Ndërsa në lidhje me konsullatën që u hap në Antalya, u shpreh “Vitin e ardhshëm do të festojmë 140 vjetorin e marrëdhënieve. Ne dëshirojmë që këto marrëdhënie miqësore t’i zhvillojmë edhe më shumë”.

Kryediplomati serb theksoi se do të punojnë në drejtim të interesave të popujve ballkanas që jetojnë në Turqi dhe popujve muslimanë që jetojnë në Serbi.