Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq e ka cilësuar si blof të palës kosovare rezolutën e Kuvendit të Kosovës për pezullimin e dialogut me Beogradin, deri në lirimin e kreut të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.
Kryediplomati serb ka thënë për Radio Televizionin e Serbisë se nuk beson se presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe përfaqësues të tjerë të Kosovës janë shumë të shqetësuar në lidhje me Haradinajn.
“Këtu bëhet fjalë për diçka tjetër, unë mendoj se ekziston një frikë se Gjykata Speciale do të trajtojë zyrtarë të tjerë nga Kosova. Ky është një rast precedent. Kjo do të jetë sikurse Serbia nuk dëshiron që të marrë pjesë në një dialog vetëm se dikush arrestohet ose dënohet”, theksoi ai, transmeton Klan Kosova.
Në pyetjen se a do të lejojë Bashkimi Evropian ndërprerjen e dialogut, shefi i diplomacisë serbe ka thënë se BE-ja duhet të angazhohet në mënyrë aktive në zgjidhjen e problemeve.