Telegrafi

Daçiq pretendon se Dominika e ka tërheq njohjen e pavarësisë së Kosovës

Ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiq, ka paraqitur para medieve në Serbi, pretendimin e tij, se edhe një shtet ka tërhequr njohjen e Kosovës. Bëhet fjalë për Dominikën, e cila sipas Dacicit, është shteti i tetë që ka tërhequr njohjen e pavarësisë së Kosovës.

Para Dominikës, tërheqjen e njohjes së pavarësisë së Kosovës, e kanë bërë Surinami, Liberia, Sao Tome dhe Principe, Guinea-Bissau, Burundi, Papua Guinea e Re dhe Lesoto.

Megjithatë, ministri i Jashtëm kosovar, Behgjet Pacolli, vazhdimisht i ka mohuar këto tërheqje të njohjeve. Ai ka akuzuar Daçiqin, se po gënjen, edhe pse ministri i Jashtëm serb për të gjitha këto shtete të cilat ai pretendon se kanë tërhequr njohjen e Kosovës, ka paraqitur dokumente, siç ka bërë edhe sot me rastin e tërheqjes së njohjes nga Domenika.

Ky shtet ishull i Karaibeve, pavarësinë e Kosovës e kishte njohur në vitin 2012, në kohën kur ministër i Jashtëm ishte Enver Hoxhaj, tani zv.kryeministër në qeverinë Haradinaj.