Shefi i diplomacisë serbe, njëherësh ushtrues i detyrës së kryeministrit, Ivica Daçiq, deklaroi sot se Kosova ende nuk ka bërë kandidaturën për anëtarësim në UNESCO dhe se nuk dëshiron të tregojë se çfarë Serbia është duke bërë lidhur me këtë çështje.
“Nuk dua të them se cilat vende më kanë premtuar se nuk do të votojnë për Kosovën, por kjo është temë e çdo bisede”, ka thënë Daçiq për media në Beograd, pas takimit me shefin e diplomacisë belge Didier Reynders.
Ai tha se nuk dëshiron të përgjigjet se çfarë mund të presë në vjeshtë me rastin e votimit të anëtarësimit të Kosovës në UNESCO, pasi nuk dëshiron që pala tjetër të di se çfarë është duke bërë Serbia.
“Para se gjithash, Kosova ende ka kandiduar, pasi që kanë frikë se serish do të refuzohen”, është shprehur ai, transmeton KosovaPress. Shqipëria para dy vitesh ka bërë kërkesë për pranimin e Kosovës në UNESCO.
Në konferencën e përgjithshme të UNESCO-s, në të cilën për vendim pozitiv nevojiteshin dy të tretat e shumicës, kanë votuar në nëntor 2015, 142 vende anëtare, derisa 29 shtete abstenuan. Për pranimin e Kosovës votuan 92 shtete, ndërsa 50 ishin kundër dhe Kosovës i munguan vetëm tri vota për anëtarësim në UNESCO.