Zëvendës Kryeministri serb dhe Ministri i Jashtëm, Ivica Daçiq ende po e vazhdon vizitën në Shtetet e Bashkuara të Amerikës pas “Lutjeve të Mëngjesit’, ku ka pasur takime të rëndësishme me zyrtarët amerikan.
Kryediplomati serb pohoi se kishte një takim jashtëzakonisht të mirë me Sekretarin e Shtetit të SHBA-së, Rex Tillerson.
“Ne duam të rivendosim marrëdhëniet tona dhe të kërkojmë interesat e përbashkëta dhe të gjejmë zgjidhjen adekuate se si SHBA-ja mund të na ndihmojnë në arritjen e qëllimeve tona kryesore – kjo ka të bëjë me stabilitetin, paqen në rajon dhe zgjidhjen e çështjeve të hapura”, tha Daçiq, përcjell Telegrafi.
Ai ndër të tjera ka përmendur Tillerson-it, përpjekjet, siç ka thënë për të zgjidhur përgjithmonë problemin e Kosovës.
“Mendoj se ata i dëgjuan me kujdes të gjitha argumentet tona”, tha Daçiq.
“Duke pasur parasysh se ky ishte takimi i parë i tillë, unë mund të vlerësoj vetëm se ishte shumë i mirë dhe se na jep shpresë të madhe që do të kemi bashkëpunim të suksesshëm në periudhën e ardhshme”, përfundoi Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë.
Ndryshe, në “Lutjet e Mëngjesit, në Washington, ishin të pranishëm edhe Thaçi, Haradinaj e ministri i Jashtëm Behgjet Pacolli. /Telegrafi/